Gazetari i News24, Osman Stafa, ka folur në studio për incidentin me deputetin e Partisë Demokratike, Klevis Balliu, gjatë protestës, si dhe për sulmet që, sipas tij, kanë nisur ndaj gazetarit pas publikimit të pamjeve. Stafa deklaroi se i qëndron asaj që ka parë dhe denoncoi publikisht përpjekjet që pretendon se janë bërë për ta joshur nga pushteti, me qëllim që të mos flasë për çështje të caktuara.

Gazetari kërkoi që prokuroria të nisë hetimet, veçanërisht për veprimet e policisë dhe dhunën gjatë protestës. Ai tha se ka parë gaz lotsjellës të drejtohet nga protestuesit dhe përmendi edhe rastin e operatorit të News24, Ervin Kamberi, të cilit, sipas tij, i ka rënë gaz në bark.

Duke iu kthyer incidentit me Klevis Balliun, Stafa tregoi se ndodhej pranë zonës kur një turmë nisi të vraponte drejt xhamisë së Namazgjasë. Ai tha se aktivizoi telefonin për të filmuar dhe pa dy persona pranë Lanës, të cilët po sulmoheshin. Sipas rrëfimit të tij, njëri u hodh në lumë, ndërsa tjetri qëndroi aty. Më vonë kuptoi se personi që kishte mbetur ishte deputeti Klevis Balliu.

Stafa tha se ndërhyri për të ndaluar sulmin, duke theksuar se reagoi për arsye njerëzore. Ai komentoi gjithashtu reagimin e Taulant Ballës, i cili publikoi pamjet duke shkruar se Klevis Balliu ishte shpëtuar nga Osman Stafa. Gazetari pretendoi se gjatë viteve të fundit i janë bërë oferta për ta joshur dhe për ta penguar të flasë për çështje që lidhen me Ministrinë e Shëndetësisë dhe skandalin e Onkologjikut. Sipas tij, një ofertë e tillë i është bërë edhe nga sekretari i përgjithshëm i ministrisë, i cili, siç pretendon Stafa, i ka thënë se mund të shkruante çfarë të dëshironte.

Në fund të rrëfimit, gazetari u shpreh se synimi i tij është një Shqipëri larg politikës së 36 viteve të fundit, duke u përlotur gjatë fjalës në studio. “Prokuroria duhet të nisë hetim kryesisht për veprimet e policisë dhe dhunën. Ata e çojnë gazin lotsjellës drejt studentëve. Studentëve u ka rënë gazi në bark, operatorit tonë, Ervin Kamberi. Sulmet janë frontale, të drejtpërdrejta. Tani kanë nisur sulmet ndaj meje. Unë i dal për zot fjalës sime, për rastin e Klevis Balliut. Kam qenë atje kur nisi një turmë vrap drejt xhamisë së Namazgjasë. Ndez telefonin dhe po filmoja. Dy persona ishin në anën e Lanës dhe po sulmoheshin. Pashë që njëri hidhet në Lanë dhe personi tjetër qëndron aty. Më vonë e kuptova që ishte Balliu.

Personi që e shoqëronte atë ishte perceptuar sikur ishte deputet. Edhe turma po e sulmonte. Në këtë moment e pashë që nuk ishte deputet, ndërhyra që njerëzit të mos vazhdonin më atë që po bënin. Unë kam ndjeshmëri njerëzore dhe kjo nuk ndryshon më. Ndihmoj sa mundem ata njerëz që nuk kanë zë. Kam ndërhyrë aq sa mundja, pasi kur një turmë është e mllefosur, çfarë nuk bën. Taulant Balla e merr atë videon dhe shkruan: ‘Klevis Balliu shpëtohet nga Osman Stafa’. Pse e bëjnë këtë gjë? Sepse në gjithë këto vite kanë tentuar që të më blejnë me rastin e Ministrisë së Shëndetësisë, në mënyrë që të mos flas më për Onkologjikun. Çfarë të duash ti, më kanë thënë, letër të bardhë. Më kanë thënë: ‘Shkruaj çfarë të duash ti’. Ma ka thënë sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë. Por unë kam një mision. Unë dua një Shqipëri që është larg politikës 36-vjeçare. Këtë gjë dua.”, tha Stafa.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: