Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë për mediat nga selia blu deklaroi se “Tirana përjetoi sot ditën e dhunës dhe terrorit më të egër shtetëror ndaj studentëve të rinj dhe qytetarëve, në revoltën e tyre kundër narkoshtetit, kundër padrinos Edi Ramës, zjarrvënësit më të madh në histori të ëndrrave, të idealeve fisnike të të rinjve shqiptarë, të të ardhmes së tyre”.

“Sot qytetarët dhe të rinjtë e Tiranës, qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë ishin në një mosbindje të plotë civile. Protestuesit, të rinj, të reja, burra, gra, u përballën si luanë me breshëritë e plumbave të vrasësve shtetërorë, me tonelatat e gazit dhe helmeve drejt tyre, por triumfuan. Tirana, kryeqyteti, nuk ka qenë kurrë më shumë se sot në duart e tyre. Mosbindja civile ishte Shkodra, Durrësi, Elbasani, Vlora, Korça dhe qytete të tjera. Pra në qoftë se dje ishte dita e grevës së përgjithshme të universiteteve dhe gjimnazeve të vendit, sot ishte dita e mosbindjes civile të përgjithshme të qytetarëve shqiptarë në të katër anët e vendit”, tha Berisha.

“Përulem me nderimin më të madh para dhjetëra mijëra qytetarëve që shtruan këtë ditë me guximin, trimërinë, vendosmërinë e tyre epike, në një ditë shprese të madhe për shqiptarët. Janë dhjetëra, dhjetëra të plagosur nga plumba gome me fuqi vdekjeprurëse, të plagosur në kokë, të plagosur në gjoks, të plagosur në krah dhe kudo. Kurrë ndonjëherë, siç kanë përdorur sot narkobanditët me uniformë breshëri të pandërprera plumbash gome nuk janë përdorur më parë. Edi Rama kërkon gjak. Edi Rama kërkon viktima. Edi Rama i zhytur në krimet më të shëmtuara, në vend të dorëheqjes, preferon gjakderdhjen. Në vend të zgjidhjes politike, preferon konfliktin civil. Unë i them Edi Ramës dhe një herë, jep dorëheqjen urgjentisht, mos ço Shqipërinë drejt një konflikti civil, sepse do të jesh ti viktima më kryesore e tij. Jep dorëheqjen, hapi rrugën zgjidhjes të denjë për një vend anëtar të Natos, për një vend me aspirata të forta për integrimin europian. Jep dorëheqjen, në emër të ëndrrave, idealeve dhe të ardhmes së shqiptarëve, ndërtues i narkoshtetit më të konsoliduar në Europë dhe në botë. Jep dorëheqjen, mos u kthe në genin e etërve të tu mizorë, sepse ndëshkimi do të jetë i madh për ty. Njofto një minutë e më parë dorëheqjen”, shtoi kreu demokrat.

Berisha ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e nesërme.

“Ndërsa qytetarët që mund të vijnë në Tiranë nesër, të vërshojnë drejt kryeqytetit. Këtu është sheshi ku fitorja do të firmoset nga qytetarët shqiptarë. Edhe një herë, thirrja ime është të gjithë në këmbë për t’i dhënë ndëshkimin e merituar këtij regjimi të urryer të këtij vendi”, u shpreh kryedemokrati.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb