Zbulime të reja tronditëse janë bërë në një banesë në Filadelfia të SHBA-së, e lidhur me zhdukjen e shtatë grave. Hetuesit e FBI-së kanë gjetur eshtra në oborrin e shtëpisë dhe një kasafortë të fshehur nën dyshemenë prej druri, ndërsa autoritetet po vijojnë kërkimet për të zbardhur misterin e pronës.

Banesa lidhet me Raymond “R.K.” Horse, një producent pornografie që vdiq në vitin 2025 në moshën 82-vjeçare, dhe djalin e tij, Eugene Horse, i arrestuar në qershor. Deri më tani, nuk është përcaktuar nëse eshtrat e gjetura janë njerëzore apo shtazore dhe nuk dihet çfarë përmban kasaforta.

Gjatë kontrolleve të mëparshme, hetuesit kanë sekuestruar rreth 600 mijë fotografi, 70 mijë video dhe më shumë se 10 mijë faqe me materiale të shkruara. Mes tyre dyshohet se ka edhe pamje që mund të dokumentojnë vrasje reale, por autoritetet ende nuk e kanë konfirmuar këtë. Hetimi përqendrohet te zhdukja e shtatë grave, mes tyre Gabrielle Amaranto dhe Maribel Freses, për të cilat policia dyshon se kanë vdekur, megjithëse trupat e tyre nuk janë gjetur. Në fokus është edhe rasti i Amy McHale, ish-bashkëshortes së Raymond Horse, si dhe zhdukja e Blair Tonzelli.

Në pronë janë gjetur gjithashtu armë të paligjshme, dokumente të falsifikuara dhe pesë urna që dyshohet se përmbajnë mbetje njerëzore të djegura. Megjithatë, lidhja e këtyre provave me gratë e zhdukura nuk është konfirmuar. Eugene Horse ndodhet në paraburgim federal, i akuzuar për shkelje që lidhen me armët e zjarrit. Deri tani, ai nuk është akuzuar për zhdukjen apo vdekjen e grave, ndërsa hetuesit vijojnë analizimin e provave të sekuestruara.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: