Ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në protestat në Shqipëri, duke shprehur mbështetjen për protestat e studentëve, por shton se ato duhet të jenë paqësore. Brozi u shpreh se ngjarjet e ditëve të fundit i shkaktojnë shqetësim shoqërisë shqiptare, duke kujtuar edhe episode të mëparshme të dhunës në historinë e vendit, si viti 1997 dhe ngjarjet e vitit 2011.
Ai akuzoi Berishën, duke e cilësuar si përgjegjës për nxitjen e dhunës në Shqipëri dhe duke pretenduar se ai financon personat që përdorin molotovë. “Të drejtat e protestuesve, që kërkonin një reformë kushtetuese ku mandati të kufizohej në 2, e nxis parlamentin shqiptar ta miratojë këtë. Kërkonin reformë zgjedhore që populli të zgjidhte deputetët e tij.
Arkitekti i dhunës në Shqipëri ka qenë Sali Berisha, është zjarrvënësi edhe në këto situata, financon molotovistët. E ka provuar në gjithë historinë 30-vjeçare të vendit tonë. SPAK-u e lë të lirë kryeterroristin e 21 janarit. Çdo veprim i SPAK-ut përçohet dhe merret si një nxitje për akte dhune nga elementë ekstremistë që mund të jenë në Shqipëri.”
“Unë u bëj apel drejtuesve kryesor të pushtetit dhe opozitës, dyshes bashkëjetuese të pushtetit, Edi Ramës, dhe zjarrëvënësit e përgjakësit të vendit-Sali Berishës, si edhe klanit të tyre, të shpëtojnë Shqipërinë nga shkatërrimet e djegjet duke dhënë njëkohësisht dorëheqjen. Dorëheqja jepet edhe kur qeveris mirë. Ndërsa kur pushteti zhytet në korrupsion dhe rinia shqiptare insiston në dorëheqjen tënde, mbase dorëheqja është jo vetëm e pashmangëshme, por edhe shpëtimtare për vendin”, vijon ai.
Reagimi i plotë
Studentët, gjimnazistët, të gjithë të rejat e të rinjtë e Shqipërisë, nuk mund të tolerojnë e durojnë pafundësisht arrogancën, përçmimin, talljen e shurdhërinë e kujtdo pushtetari, ish-pushtetari, politikani, prokurori e gjyqtari.
Për më se 5 muaj protestuan paqësisht dhe fituan simpati në gjithë botën.
Por pushteti i injoroi kërkesat e tyre. Për më keq, pushtetarët e politikanët u tallën, ofenduan e shpifën për protestuesit.
Durimi i rinisë protestuese mori fund dhe këto ditë protestat po bëhen shumë të dhunshme, sa na kujtojnë djegjet e shkatërrimet e viteve 1997-1998.
Unë personalisht, ashtu si në Lëvizjen Studentore në vitin 1990, jam edhe sot me studentët dhe rininë protestuese.
Por as në vitet 1990-1991, as sot, nuk jam për dhunë e shkatërrim.
U bëj apel qeverisë dhe Parlamentit të miratojnë fondet e nevojshme për plotësimin e kushteve normale në konvikte, shkolla e spitale.
Unë u bëj apel drejtuesve kryesor të pushtetit dhe opozitës, dyshes bashkëjetuese të pushtetit, Edi Ramës, dhe zjarrëvënësit e përgjakësit të vendit-Sali Berishës, si edhe klanit të tyre, të shpëtojnë Shqipërinë nga shkatërrimet e djegjet duke dhënë njëkohësisht dorëheqjen. Dorëheqja jepet edhe kur qeveris mirë. Ndërsa kur pushteti zhytet në korrupsion dhe rinia shqiptare insiston në dorëheqjen tënde, mbase dorëheqja është jo vetëm e pashmangëshme, por edhe shpëtimtare për vendin.
I bëj edhe njëherë apel SPAK të mos sabotojë hetimet e 21 Janarit!
I bëj apel Parlamentit t’u japë përgjigje konkrete kërkesave të protestuesve për ndryshime të disa ligjeve dhe sidomos për të bërë reformën zgjedhore, ku deputetët të zgjidhen direkt nga populli me sistem mazhoritar a proporcional, jo me lista të mbyllura; komisione jo partiake të zgjedhjeve; transparencë e plote e financimit të partive politike, etj.
Sëfundi, duke shprehur mbështetjen time për rininë protestuese, dua të shpresoj që ata nuk do i dhurojnë frutet e protestës duke risjellë në pushtet atë që dogji e shkatërroi Shqipërinë dhe klanit të tij kriminal.
Zef Brozi
Uashington, DC
