Pedagogu dhe aktivisti Ervin Goci, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24 me gazetaren Ola Bruko, ka komentuar situatën politike në vend dhe protestat e zhvilluara në Tiranë, duke kritikuar mënyrën se si qeveria po menaxhon situatën dhe sjelljen e Policisë së Shtetit ndaj protestuesve.

Goci u shpreh se, sipas tij, në vend ka rënë rendi dhe shoqëria shqiptare po kërkon të marrë vetë në dorë fatet e saj. Ai e cilësoi angazhimin e qytetarëve në protesta si një zhvillim të pazakontë, të cilin tha se nuk e kishte parë më parë në jetën e tij. Duke komentuar premtimet e kryeministrit Edi Rama ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit, Goci deklaroi se, sipas tij, pas kësaj marrëdhënieje ka dinamika të tjera. Ai pretendoi se policia është e lidhur me interesa biznesi dhe koncesione, ndërsa bëri kujdes të mos përgjithësojë akuzat për lidhje me krimin ndaj të gjithë efektivëve.

Në vijim, pedagogu kritikoi deklaratat e kryeministrit Rama lidhur me reagimin ndaj personave që mund të sulmojnë policinë gjatë protestave. Sipas Gocit, mesazhe të tilla nxisin përdorimin e dhunës dhe krijojnë një standard të rrezikshëm në ushtrimin e pushtetit. Goci ngriti pikëpyetje edhe për rritjen e pagave të policisë, duke vënë në diskutim arsyetimin e këtij vendimi në raport me nevojat e shtresave të tjera të shoqërisë.

“Këtu ka rënë rendi. Është një njeri që, kur rri aty, bën dëm. Shoqëria shqiptare nuk ka lidhje me shoqëritë e tjera, kërkon shpëtim. Për fat, këtë zgjidhje, këtë akt e ka marrë shoqëria gjerësisht. S’e di kur ka ndodhur kjo në historinë tonë. Por, sa jam unë në këtë jetë, s’kam parë kurrë këtë angazhim për të marrë fatet e vendit në dorë, për t’i bërë politikë, por s’ka rrugë tjetër.

Tani është konkurrencë, gati-gati në situatën e një xhungle. Kush e administron sot shtetin? Se qeveria është legjitime, popullsia e di, administrata e di, policia e ka të qartë. Këtu është ky mentaliteti i hurit. Pse është besnik me ty ky? Kur ti abuzon?! Besoj se ka dinamika të tjera, për premtimet e Ramës ndaj policisë. Besoj se policia e shtetit është e gjitha e kapur me biznes, koncesione. S’po flas për lidhje me krimin, se s’dua t’i përlyej të gjithë, por është kapur duke u relatuar, e lidhur me krimin. Nuk jam solidar me ta, kam parë skena horrori. Që ditën e parë që plasi, isha pak metra kur u masakrua djali Klevi Metaj, kam parë skena të rënda të kohës. Nuk jam ndier jo vetëm i sigurt, por as që mund t’i shpëtoja drurit.

Kryeministri ka thënë një gjë perverse sot, më provokon në revoltë. Ai thotë se, nëse dikush të godet aty, kam legjitimitet që këdo që e shoh me duar në xhepa, t’i hyj me dru. Dhe ky është bërë standard: do drejtoj me dru. Pse ia rrit rrogën policisë dhe jo një shtrese tjetër në nevojë? Ky është shtet policor!”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: