9 ditë pas nisjes së protestave studentore, gjatë të cilave pati arrestime e shoqërime në komisariate, ku sipas dëshmive të shoqëruarve iu është kërkuar të hapin celularët, Policia e Tiranës nxjerr një urdhër urgjent për respektimin e të drejtave të të miturve dhe zbatimin e procedurave ligjore gjatë shoqërimeve dhe intervistimeve. Shkresa mban datën 22 tetor dhe u drejtohet komisariateve të Tiranës dhe Krujës. Mes të tjerash, punonjësve të policisë u kërkohet të mos kontrollojnë telefonat pa urdhër gjyqësor, të mos kërkojnë fjalëkalime pa bazë ligjore dhe të garantojnë praninë e prindit ose kujdestarit dhe psikologut gjatë trajtimit të të miturve.
Një tjetër pikë e rëndësishme është kërkesa për ruajtjen e pamjeve filmike të datës 19 tetor, si dhe sigurimin e kamerave në ambientet e shoqërimit dhe intervistimit. Urdhri, i firmosur nga zëvendësdrejtori për Sigurinë Publike, Edmond Meshini, kërkon gjithashtu identifikimin e punonjësve të policisë gjatë operacioneve dhe respektimin e rregullave për përdorimin proporcional të forcës dhe gazit lotsjellës.
Por ajo që bie në sy është koha kur vjen ky urdhër: protestat nisën më 13 tetor, ndërsa masat kërkohen më 22 tetor, pas disa ditësh përplasjesh dhe shqetësimesh lidhur me trajtimin e të miturve. Shkresa nuk specifikon shkeljet konkrete që kanë çuar në nxjerrjen e saj, por kërkesat për ruajtjen e pamjeve filmike dhe respektimin e garancive ligjore ngrenë pikëpyetje mbi veprimet e kryera nga policia deri në këtë moment. Mbetet për t’u sqaruar nëse urdhri vjen si reagim ndaj shkeljeve të konstatuara gjatë protestave apo si masë parandaluese për ditët në vijim.

