Pedagogu i njohur Lush Susaj, i cili u plagos në kraharor nga një plumb gome gjatë protestave studentore, është rikthyer mes protestuesve përpara Ministrisë së Arsimit, duke u bërë thirrje pedagogëve, mësuesve dhe qytetarëve që të mos qëndrojnë indiferentë, por t’i bashkohen protestës.
Susaj deklaroi për mikrofonin e Newsw24 se ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe se ka marrë ndihmë mjekësore për plagën e shkaktuar gjatë protestës. Ai tregoi gjithashtu se kishte konstatuar djegien e një çadre në Parkun Rinia, duke kërkuar që të mos preken çadrat e protestuesve. Pedagogu theksoi se të rinjtë janë shpresa për ndryshimin e Shqipërisë, ndërsa kritikoi ashpër sistemin arsimor dhe u kërkoi mësuesve e profesorëve të dalin në mbështetje të studentëve.
“Jam shumë mirë. Sot shkova te Universiteti Bujqësor, mjekova plagën. Ndërkohë, sot shkova te Parku Rinia, por ishte djegur çadra. Ju bëj thirrje të mos i prekin ato çadra. Shkoj te studentët, se nuk më shohin nga duart, s’kërkojnë gjë. Studenti që më mjekoi është student i katër ditëve. Plagë që kullojnë gjak dhe qelb të këtyre viteve të shtetit të Shqipërisë, i shërojnë vetëm të rinjtë. Nuk kanë ngrënë çorbën e prishur dhe, po nuk shpëtuam nga këta të rinjtë, nuk shpëtojmë dot.
Edhe prindërit nuk e kuptojnë se çfarë po u bëjnë fëmijëve të tyre. Dilni profesorë dhe mësues, mos u bëni si skutha, mos bëni mësim si struca, pasi ky sistem i ndyrë i ka kthyer këto shkolla në shpella. Dilni të përmbysim sistemin”, tha Susaj.
