Një studente e Mjekësisë, e cila i është bashkuar protestës përpara Ministrisë së Arsimit, ka ngritur shqetësimin për kushtet e studimit dhe problemet me të cilat përballen të rinjtë që përgatiten për të ushtruar profesionin e mjekut në Shqipëri. Në një prononcim për News24, studentja deklaroi se mungesa e kushteve të përshtatshme në universitete dhe problemet e shumta në sistemin shëndetësor po ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e studentëve.

Ajo theksoi se kërkesat e tyre nuk kanë marrë përgjigjen e duhur, ndërsa u bëri thirrje studentëve të fakulteteve të tjera që t’i bashkohen protestës, pasi problemet e arsimit të lartë prekin të gjithë të rinjtë. Studentja rrëfeu se ka zgjedhur Mjekësinë me dëshirën për të kontribuar në vendin e saj, por kushtet aktuale e bëjnë të pasigurt të ardhmen e saj profesionale. Ajo u shpreh se proteston pikërisht që, pas përfundimit të gjashtë viteve të studimit, të mos detyrohet të kërkojë një të ardhme jashtë Shqipërisë.

“Ne protestojmë për kushte më të mira, për godina më të mira, për salla më të mira. Shëndetësia në Shqipëri ka probleme masive. Jemi këtu në protestë që zëri ynë të dëgjohet. Nuk janë plotësuar të gjitha kushtet, kemi rënë në vesh të shurdhër. Jemi mbledhur këtu me thirrje për të gjithë studentët, pasi nuk është vetëm kauza jonë. Ne kemi dalë këtu për një çështje që na prek të gjithëve, ndaj duam përkrahjen e të gjithëve. Duhet të jemi sa më shumë. Bëjmë thirrje edhe për fakultetet e tjera që të na bashkohen.

Kam qenë me një bindje që do të punoj në vendin tim, do të kontribuoj në vendin tim. Mjekësia është një mision, ke shumë për të mësuar nga ky profesion. Por me gjithë këto kufizime dhe kushtet e pakta, ndaj jam këtu për kushte më të mira, që të mos largohem pas 6 vitesh. Ju falënderojmë si media, që na jeni gjendur pranë.”, tha ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: