Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, ka denoncuar atë që e cilëson si presion të drejtuesve të komisariateve ndaj inspektorëve të policisë së zonave, me qëllim identifikimin e të rinjve që marrin pjesë në protestat kundër kryeministrit Edi Rama.
Sipas Muçollarit, inspektorëve të policisë u kërkohet të zbulojnë identitetin e të rinjve që protestojnë, përmes porosive dhe presioneve nga eprorët e tyre. Ai ka ngritur shqetësimin se, krahas identifikimit të protestuesve, qytetarë po thirren në polici vetëm për shkak të pjesëmarrjes në protesta.
Deklarata
Një denoncim shqetësues më ka ardhur drejtpërdrejt nga një prej punonjësve të Policisë së Shtetit, që shërben si polic zone, apo siç njihen ndryshe, “të plotfuqishmit” e lagjeve.
Sipas dëshmisë së tij, policët e lagjeve në Tiranë po vihen nën presion të madh nga eprorët, me pretendimin se nuk po bëjnë sa duhet për të identifikuar të rinjtë që kanë dalë në protesta kundër korrupsionit dhe që kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës.
Por presioni nuk ndalet te policët. Ai po shtrihet edhe mbi vetë qytetarët!
Denoncoj gjithashtu se qytetarë po telefonohen dhe po thirren në polici, vetëm për faktin se kanë marrë pjesë në protesta. Pjesëmarrja në një protestë paqësore është një e drejtë kushtetuese, jo një arsye për t’u trajtuar si të dyshuar.
Kjo ngre pyetje tepër serioze: Kush po i jep këto urdhra? Mbi çfarë baze ligjore po identifikohen dhe thirren qytetarët? Dhe përse policëve të lagjeve u kërkohet të përqendrohen te protestuesit, në vend që të luftojnë kriminalitetin?
Policët e zonave nuk janë instrumente të pushtetit politik. Detyra e tyre është të mbrojnë qytetarët, të garantojnë rendin dhe të parandalojnë krimin, jo të përdoren për të ushtruar presion mbi njerëzit që protestojnë.
Askush nuk duhet të ndihet i kërcënuar vetëm sepse ka ngritur zërin kundër qeverisë.
Këto denoncime do duheshin të hetoheshin dhe që çdo urdhër i paligjshëm duhet te merte përgjigjen që meriton.
Presioni, frikësimi dhe thirrjet në polici nuk mund të jenë përgjigjja ndaj pakënaqësisë qytetare.
Revolta nuk është një listë emrash që mund ta mbledhësh në komisariat. Është shprehje e një pakënaqësie që nuk shuhet duke ushtruar presion mbi njerëzit.
Dhe kërkesa politike e kësaj revolte mbetet e qartë: largimi i Edi Ramës!
