Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në vend dhe protestat në Tiranë, duke vënë theksin te mungesa e dialogut dhe nevoja që zëri i qytetarëve, veçanërisht i të rinjve, të dëgjohet në vendimmarrje.
Gjatë një aktiviteti të organizuar me fokus diskutimin publik, Tarran u shpreh se gjatë javëve dhe muajve të fundit ka vërejtur se shumë qytetarë kanë krijuar përshtypjen se mendimet dhe shqetësimet e tyre nuk merren parasysh.
Sipas ambasadorit, çdo mundësi për të nxitur dialogun dhe konsultimin duhet të mbështetet, në mënyrë që qytetarët të kenë hapësirën e nevojshme për t’u përfshirë në debatet publike dhe në proceset vendimmarrëse.
“Duke marrë parasysh zhvillimet, pyesim se a është koha për ta zhvilluar këtë aktivitet, sepse ne jemi këtu për të krijuar kanale dialogu. Ajo që kam parë gjatë muajve të fundit është mungesa e dialogut, ku zëri dhe mendimi i njerëzve nuk është marrë parasysh. Ata duhet të mbështeten. Ndaj jam këtu, që qytetarët dhe veçanërisht të rinjtë të kuptojnë se demokracia nuk ushtrohet vetëm një herë në katër vjet, por është një mundësi e përditshme për të gjithë ata që duan të marrin pjesë në vendimmarrje”, u shpreh Tarran.
Ai theksoi se demokracia nuk kufizohet vetëm te pjesëmarrja në zgjedhje një herë në katër vjet, por kërkon angazhim të vazhdueshëm të qytetarëve në jetën publike.
“Demokracia nuk është vetëm një herë në katër vjet të shkosh e të marrësh pjesë në zgjedhje. Demokracia është një punë e përditshme, është një mundësi që hapet për të gjithë ata që kanë dëshirë të marrin pjesë në jetën publike, në vendimet e ndryshme ku mendimi i tyre dhe i njerëzve është i rëndësishëm”, deklaroi ambasadori i OSBE-së.
Tarran u ndal edhe te protestat e ditëve të fundit në kryeqytet, duke shprehur keqardhjen për incidentet e dhunshme. Ai theksoi se dhuna nuk mund të jetë pjesë e jetës demokratike dhe e një shteti të së drejtës.
“Dhuna asnjëherë nuk është zgjidhje”, deklaroi ai, duke shtuar se i vjen keq për incidentet e shumta të dhunës të regjistruara në Tiranë gjatë ditëve të fundit.
