Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ka hedhur akuza ndaj ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, duke thënë se ajo ka përgjuar prokurorë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) pa autorizimin përkatës ligjor.
I ftuar në “Prime News24”, Murrizi u shpreh se, nëse përgjimet janë kryer në kundërshtim me Kushtetutën dhe Kodin e Procedurës Penale, atëherë për këtë çështje duhej të ishte ndërmarrë një hetim i veçantë, i pavarur nga hetimet e tjera që lidhen me ish-drejtuesen e SHISH-it.
Ai argumentoi se, nëse drejtuesi i SPAK-ut kishte dijeni për përgjimin e prokurorëve, duhej t’i drejtohej gjykatës për të kërkuar masat ligjore përkatëse.
“Rama nuk do të ketë shërbim informativ. Kjo trëndafilja (Vlorës Hyseni) dhe ky SPAK, vetëm për faktin që në Këshillin e Sigurisë, SPAK-u i ka thënë presidentit dhe kryeministrit se kjo më ka përgjuar pa leje, unë, po të isha prokuror i SPAK-ut, do t’ia kisha vënë hekurat trëndafiles, vetëm për këtë fakt, që ka përgjuar prokurorët në mënyrë antikushtetuese dhe në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale. Trëndafilja e SHIK-ut është derivat i Gysit dhe AKSHI-t.
Në momentin që shefi i SPAK-ut e di që shefja e SHISH-it ka përgjuar këtë dhe dy-tre prokurorë të tjerë, duhej të kishte shkuar me letër në dorë në gjykatë dhe trëndafilen ta kishte futur në kokërr të burgut, pa e lidhur me tenderat e AKSHI-t.
Vetëm për këtë, sepse ka shkelur Kushtetutën dhe ka përgjuar strukturën e posaçme, jashtë asaj që të kërkon Kushtetuta. Vetëm për këtë, kjo është vepër penale më vete, përveç vjedhjeve.”, tha ai.
