2 humbje në 3 ndeshjet e fundit në Serie A “zhysin” në krizë totale Juven, me “Zonjën e Vjetër” që vijon rënien e lirë në tabelë, aktualisht me 14 pikë në 9 javë renditen në vendin e 8-të. Disfata e fundit 2-0 përballë Genoa-s trondit edhe një herë në themel stolin e Luciano Spallettit, me këtë të fundit që vijon të jetë në fije të perit, ndërsa emri i Antonio Contes vijon të qarkullojë fuqishëm në Torino, si opsioni i parë për të zëvendësuar Spallettin.

Nxënësi i tij, Daniele de Rossi i shkaktoi një humbje të papritur, me Genoa-n që gjeti dy herë rrugën e rrjetës brenda 28 minutave, me dy gola thuajse fotokopje. Në fundin e pjesës së parë, De Rossi aktivizoi edhe mbrojtësin kuqezi Mario Mitaj, me këtë të fundit që u vlerësua me notën 6.9. Në fraksionin e dytë, Spalletti aktivizoi Edon Zhegrovën, por as sulmuesi dardan, as Woltemade dhe as pjesa tjetër e fazës ofensive të Juves nuk arritën të ndryshojë fatin e këtij takimi pasi rezultati mbeti i pandryshuar.

Pas ndeshjes, fjalët e para të Spallettit shkuan për tifozët: “Pikësëpari duhet t’i kërkojmë falje tifozëve për paraqitjen e bërë. Më pas, çfarë do që të themi mund të rezultoi e gabuar, është edhe e vështirë për ty thënë. Na duhet pak kohë për të dalë në një përfundim të qartë”, u shpreh Spalletti në konferencë për shtyp.

Nuk bën më mirë as Milan, me kuqezinjtë që vijojnë sezonin me ulje ngritje të forta. Në “San Siro”, ekipi i Amorim pësoi një humbje të rëndë 4-2 përballë Bologna-s. Mbangula kaloi miqtë në avantazh që në minutën e 8-të, por Cisse realizoi dy gola brenda pjesës së parë duke përmbysur shifrat dhe duke sjellë shpresë tek tifozët kuqezi.

“Dopjeta” e Cisse-s ishte thjesht një iluzion pasi në fraksionin e dytë Bologna mori kontrollin total të ndeshjes duke realizuar edhe tri gola të tjerë. Pa diskutim lojtari i ndeshjes ishte Mbangula me sulmuesin belg që realizoi edhe dy herë të tjera duke kompletuar “tripletën” e tij personale. Me 18 pikë në 9 javë, Milan renditet në vendin e 5-të në Serie A.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb