Këngëtarja e njohur shqiptare dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Edona Llalloshi, ka mbajtur një fjalim prekës gjatë seancës plenare të së enjtes, ku ka folur për vrasjen e Arlinda Zekajt dhe dhunën ndaj grave. Mes emocionesh dhe lotësh, ajo ka rrëfyer edhe tragjedinë që kishte goditur familjen e saj në vitin 2008, kur kushërira e saj, mjekja Igballe Llalloshi, u vra nga bashkëshorti.
Duke folur para deputetëve, Llalloshi tha se dhimbja e familjes së saj nuk është shuar edhe pas 18 vitesh, ndërsa theksoi se vrasja e Arlindës duhet të shërbejë si një pikë kthese për institucionet dhe shoqërinë.
“Vrasja e Arlindës duhet të na shërbejë si pikë kthese, edhe në momentet kur, përtej dallimeve politike që mund të kemi, pozitë-opozitë, duhet të bashkohemi kundër atyre burrave që e kanë kthyer dhunën në një mjet sundimi: ‘O do të më nënshtrohesh, o do të vdesësh’”, u shpreh deputetja.
Në një nga momentet më prekëse të fjalimit, ajo rikujtoi vrasjen e kushërirës së saj, duke theksuar se përvoja personale e bën edhe më të dhimbshme thirrjen e saj kundër dhunës ndaj grave.
“E kush, nëse jo unë, ka arsye të flasë për këtë plagë? Në vitin 2008, kushërira ime, mjekja e respektuar Igballe Llalloshi, u vra nga bashkëshorti i saj. Edhe pse kanë kaluar 18 vite, për ne dhimbja nuk është shuar kurrë”, deklaroi ajo mes emocionesh.
Llalloshi theksoi se dhuna ndaj grave nuk mund të trajtohet vetëm përmes statistikave, pasi pas çdo viktime qëndrojnë familje të shkatërruara dhe fëmijë që duhet të jetojnë me pasojat e tragjedisë.
“Që nga paslufta, më shumë se 80 gra janë vrarë në Kosovë. Pas secilit prej këtyre numrave qëndron një jetë e shuar, një familje e shkatërruar dhe fëmijë që mbeten me plagë për gjithë jetën. Dhe sot duhet ta shtrojmë një pyetje: Edhe sa gra duhet të humbin jetën që ne të reagojmë me seriozitet?”, tha deputetja.
Ajo kërkoi që institucionet të mos presin një tjetër rast tragjik për të ndërmarrë masa konkrete, duke bërë thirrje që dhimbja të shndërrohet në veprim dhe përgjegjësi.
“Andaj, të mos presim një tjetër tragjedi. Koha është të veprojmë tani me vendosmëri dhe ta kthejmë dhimbjen në veprim dhe fjalën në përgjegjësi”, theksoi Llalloshi.
Gjatë fjalimit, deputetja ngriti shqetësime edhe për funksionimin e Qendrave për Punë Sociale në 38 komunat e Kosovës. Sipas saj, një pjesë e këtyre institucioneve përballen me mungesë të stafit, kapaciteteve profesionale dhe kushteve të përshtatshme të punës.
Ajo vuri në pikëpyetje edhe mënyrën se si është zbatuar decentralizimi i shërbimeve sociale, duke kërkuar që të rishikohen përgjegjësitë e institucioneve qendrore dhe komunave.
“A ka qenë vendim i drejtë decentralizimi i shërbimeve sociale dhe bartja e përgjegjësive te komunat, pa garantuar kapacitetet dhe burimet e nevojshme?”, pyeti ajo.
Në përfundim, Llalloshi paralajmëroi se përveç rasteve që marrin vëmendjen e mediave dhe të institucioneve, ka edhe shumë viktima të dhunës, historitë e të cilave mbeten të padëgjuara.
“Rasti i fundit dhe mijëra raste të dhunës, të heshtura e të padukshme, që nuk arrijnë asnjëherë në vëmendjen e mediave apo në këtë sallë të Kuvendit, na kujtojnë se sistemi i shërbimeve sociale ka nevojë për reformim rrënjësor”, përfundoi deputetja.
Edona Llalloshi e ka ngritur edhe më herët zërin kundër dhunës ndaj grave përmes muzikës. Në vitin 2009, ajo publikoi këngën “Thuaje me zë”, kushtuar kushërirës së saj të ndjerë, ndërsa më vonë solli edhe projektin muzikor “Deri kur”, me mesazh kundër vrasjes së grave.
