Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka komentuar protestat kundër qeverisë, duke deklaruar se ato kanë karakteristika dhe kërkesa specifike për Shqipërinë dhe nuk duhet të krahasohen me protestat që zhvillohen në vende të tjera të botës.

I ftuar në emisionin “Prime News24”, Duka theksoi se opozita duhet të mbështesë protestuesit dhe të mos përpiqet të marrë rolin kryesor në lëvizjen e tyre.

Ai e cilësoi situatën politike në vend si pasojë të një regjimi 14-vjeçar, duke pretenduar se pushtetet janë përqendruar në duart e kryeministrit Edi Rama dhe se rotacioni politik është bërë i vështirë.

Duka ngriti akuza edhe për lidhjet e pretenduara mes pushtetit, krimit dhe oligarkëve, duke argumentuar se këto marrëdhënie, sipas tij, ndikojnë në proceset zgjedhore. Ai përmendi gjithashtu administratën publike, për të cilën pretendoi se përdoret për të siguruar vota.

Sipas tij, kjo situatë ka shtuar pakënaqësinë qytetare dhe ka nxitur kërkesën për ndryshimin e rregullave politike dhe zgjedhore.

Në vijim, kreu i PAA-së theksoi se opozita duhet të punojë për një alternativë të ardhshme qeverisëse, duke përfshirë edhe përfaqësues të protestës dhe politikanë që, sipas tij, nuk janë përfshirë në politikat e mëparshme.

“Përpjekja për t’i bërë të ngjashme protestat në Shqipëri me ato në botë, apo edhe t’i quash Antifa, nuk ka lidhje. Ne si opozitarë duhet të jemi në mbështetje të protestës dhe jo të marrim protagonizmin. Por nuk duhet ta krahasojmë me protestat në botë. Kjo protestë ka disa kërkesa specifike për Shqipërinë. Në këtë po vuajmë një regjim 14-vjeçar. Këtu është bllokuar rotacioni.

Nuk flas për veten time, sepse nuk dua, por të gjitha llojet e pushteteve i ka mbledhur në dorën e vet. Nuk ka shans të ketë rotacion, sepse është lidhur me kriminelët kryesorë të qarqeve. Ka krijuar një shtresë oligarkësh që i shfrytëzon për të ricikluar votat. Ka një administratë që e vë në rresht për të marrë vota, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë vendit.

Në këto kushte, njerëzit janë të revoltuar dhe kërkojnë që këto kushte të prishen. Si prishen këto? Duke vendosur rregulla loje… Por na bëni qeveri kujdestare, na ndryshoni Kodin Zgjedhor, kufizoni mandatet. Nëse fiton, fito. Por kështu siç e ka bërë ky, nuk ndryshon asnjëherë. Duhet të deklarojmë që duhet të projektojmë një qeveri të ardhshme bashkë me këta protestues, por edhe me politikanë që nuk kanë pasur përzierje me politikat e kaluara. Kjo protestë e mban frymën te antisistemi.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb