Qindra mijëra familje në Ukrainë kanë mbetur pa energji elektrike pas sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike në katër rajone të vendit. Lajmi u bë i ditur nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, përmes një postimi në Telegram.
Zelensky deklaroi se sulmet ruse janë intensifikuar dhe se Moska po përpiqet të shfrytëzojë mungesën e sistemeve ukrainase për interceptimin e raketave balistike.
“Intensiteti i sulmeve është shumë i lartë dhe rusët po kërkojnë të përfitojnë maksimalisht nga deficiti i Ukrainës në sistemet e interceptimit të raketave balistike”, u shpreh presidenti ukrainas.
Ndërkohë, Zelensky konfirmoi se forcat ukrainase kanë goditur me raketa kruiz dhe dronë Neptune kompleksin industrial Kamensky, në rajonin rus të Rostovit. Sipas tij, bëhet fjalë për një objektiv ushtarak dhe një nga uzinat më të mëdha kimike në Rusi, e cila prodhon karburant për raketat ruse, sistemet e raketave me shumë lëshime dhe armë të tjera ajrore.
Këto pajisje përdoren nga Moska në sulmet ndaj qyteteve dhe infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Kompleksi Kamensky është gjithashtu nën sanksionet e Bashkimit Evropian, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, për shkak të rolit të tij në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
