Ngjarja e rëndë me dy viktima në fshatin Demiraj të Gjilanit ka sjellë reagimin e ministres së Drejtësisë në Kosovë, Donika Gërvalla, e cila ka kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave dhe hetim pa vonesa. Për rastin është arrestuar një person, i dyshuar për vrasje.
Përmes një reagimi në Facebook, Gërvalla ka shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave, duke theksuar se familja duhet të jetë vendi më i sigurt për çdo njeri dhe se çdo ngjarje që cenon këtë siguri kërkon reagim të menjëhershëm institucional.
“Një ngjarje tragjike ka tronditur sot Gjilanin dhe të gjithë ne, me humbjen e dy jetëve në fshatin Demiraj. Familja duhet të jetë streha më e sigurt e njeriut, vendi ku mbizotërojnë dashuria, harmonia, kujdesi dhe mbrojtja. Çdo ngjarje që e cenon këtë siguri kërkon vëmendje dhe reagim të menjëhershëm institucional”, shkruan ministrja.
Ajo ka kërkuar që autoritetet të hetojnë plotësisht dhe pa vonesa rrethanat e ngjarjes, në mënyrë që të zbardhet e vërteta dhe të merren masat që parashikon ligji.
“Në këto momente, është e domosdoshme që rrethanat e këtij rasti të hetohen plotësisht dhe pa vonesa, në mënyrë që e vërteta të zbardhet dhe institucionet përgjegjëse të ndërmarrin veprimet që kërkon ligji. Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të viktimave”, përfundon reagimi i Gërvallës.
