Deputeti i PD-së Belind Këlliçi, i ftuar në emisionin Prime News24 foli për konfliktin e ashpër brenda Partisë Socialiste.

Këlliçi shprehet se Toni Gogu alias Oltion Gogu po keqpërdoret në mënyrë të tmerrshme e kriminale nga kryeministri Edi Rama.

Sipas tij, shantazhi i Ramës e ka origjinën tek dekreti i presidentit Bajram Begajt për zgjedhjet lokale. Këlliçi theksoi se praktikisht dy banda janë duke u përplasur fort brenda PS-së, duke shtuar se Rama ka frikë se humbet Tiranën dhe më pas edhe Shqipërinë.

Belind Këlliçi:  Nëse ministri do të kishte vizituar një të burgosur për kushtet ku qëndron ai, gjithçka do bëhej sipas rregullave.

Që e vërteta dhe Erion Veliaj të jenë në të njëjtën fjali, kjo ishte diçka e paimagjinueshme. Toni Gogu ose Oltion Gogu më saktë ka qenë një ushtar i Veliajt dhe po keqpërdoret nga Rama për t’i dërguar këtë mesazh ish-shefit të tij.

Shantazhi i Ramës e ka origjinën tek dekreti i Begajt për zgjedhjet lokale. Ne e dimë se dy banda në PS po përplasen fort me njëra-tjetrën. Beteja bëhet për Bashkinë e Tiranës. Sondazhi i fundit tregon se PS ka 42 përqind, ndërsa nëse opozita bashkohet shkon mbi 50 përqind.

Edi Rama po bën kalkulimet e tij politike, sepse me një rënie të kryeqytetit, kryeministrit i tronditen themelet e pushtetit të tij. Sjellja e sotme është fytyra e vërtetë e shtetit që ka ngritur kryeministri Rama.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb