Gazetari Arber Hitaj, i ftuar në emisionin Prime News24, ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, pas takimit të tij me Erion Veliajn në burgun e Fierit. Sipas Hitajt, ministri nuk ka shkuar për të verifikuar kushtet e kryebashkiakut, por për t’i përcjellë mesazhin që Veliaj pretendon se i është komunikuar në emër të Edi Ramës.
Hitaj ngriti dyshime edhe për mënyrën se si është zhvilluar takimi, duke thënë se mund të jenë marrë masa për fikjen e kamerave. Ai pretendoi gjithashtu se drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, ndonëse kishte dhënë dorëheqjen, ishte rikthyer në detyrë dhe kishte firmosur transferimin e Veliajt. Për këtë arsye, gazetari kërkoi ndërhyrjen e SPAK-ut dhe hetimin e plotë të rastit.
Gjatë diskutimit, Hitaj bëri edhe një paralajmërim për atë që e cilësoi si një skenar ogurzi ndaj kryebashkiakut.
“Kam një parashikim timin ogurzi, ku Rama mund ta mbyllë edhe në psikiatri zotin Veliaj. Uroj mos të më dalë”, u shpreh ai.
Gazetari kundërshtoi gjithashtu pretendimet se Veliaj mund të ketë organizuar protestat, duke argumentuar se një person i burgosur nuk ka fuqinë organizative për të koordinuar lëvizje të tilla. Ai solli në vëmendje edhe akuzat e mëparshme për përfshirjen e iranianëve, rusëve, mbështetësve të Albin Kurtit dhe ANTIFA-s në protestat në Shqipëri.
“Një kryeministër që kërcënon me burg studentët, me gjoba, kërcënon pedagogët, gazetarët dhe politikanët. Do të fusë gjithë Shqipërinë në burg dhe vetë të jetë jashtë, kryegardiani. Po flet si drejtor i burgjeve kryeministri Edi Rama”, deklaroi Hitaj.
Ai kritikoi edhe propozimet për masa ndëshkuese ndaj qytetarëve për postimet në rrjetet sociale, duke ngritur shqetësimin se një qytetar që shkruan se duhet rrëzuar qeveria mund të përballet me pasoja penale.
Në përfundim, Hitaj paralajmëroi se, sipas tij, sjellja që e cilësoi arrogante dhe në kundërshtim me ligjin mund të ketë pasoja edhe për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
