Një rast tronditës nga Shtetet e Bashkuara ka marrë sërish vëmendje pas padisë civile të ngritur nga një grua kundër ish-partnerit të saj, i cili, kur të dy ishin kadetë në Akademinë Ushtarake West Point, e drogoi pa dijeninë e saj dhe i dha pilula aborti, duke i shkaktuar ndërprerjen e shtatzënisë që ajo dëshironte ta mbante. I akuzuari është Caleb T. Sue, djali i një zyrtari të lartë në Departamentin amerikan të Çështjeve të Veteranëve. Ai e ka pranuar në gjykatën federale se e drogoi partneren me qëllim që t’i jepte pilulat e abortit pa pëlqimin e saj. Megjithatë, pas largimit nga West Point, ai vijoi studimet në dy prej universiteteve të njohura amerikane, Cornell dhe Columbia.
Sipas dokumenteve gjyqësore, të cituara nga New York Post, ngjarja ka ndodhur në vitin 2022. Çifti ishte njohur dy vite më parë në akademinë ushtarake, ndërsa gruaja mësoi se ishte shtatzënë në vitin 2022. Ajo i kishte bërë të qartë partnerit se dëshironte ta vazhdonte shtatzëninë, por ai dyshohet se e kishte ushtruar vazhdimisht nën presion për të abortuar, madje duke e kërcënuar se do të vriste veten nëse ajo nuk e bënte këtë. Më pas, sipas padisë, Sue ndryshoi qëndrim dhe u shfaq sikur po e mbështeste vendimin e saj. Në të vërtetë, ai kishte porositur pilula aborti përmes një farmacie online, duke përdorur të dhënat personale të partneres, ndërsa kishte siguruar edhe Xanax nga një mik.
E drogoi me një pije proteinike dhe i dha pilulat pa dijeninë e saj
Ditën e ngjarjes, i riu i ofroi partneres një pije që ia paraqiti si suplement proteinik për gratë shtatzëna. Sipas dokumenteve, në të kishte përzier Xanax dhe prometazinë, substanca me efekt qetësues. Gruaja fillimisht u ankua për shijen e pakëndshme, por ai këmbënguli që ta konsumonte të gjithën. Pak më vonë, ajo nisi të ndihej e përgjumur dhe humbi aftësinë për të reaguar normalisht. Në këtë gjendje, sipas padisë, Sue i vendosi pilula aborti në mënyrë vaginale dhe u përpoq t’ia jepte edhe nga goja. Gruaja kujtoi se kishte ndjerë dy pilula në gojë dhe ishte përpjekur t’i pështynte, por ai e kishte detyruar t’i gëlltiste, duke i thënë: “Gëlltiti, do të të bëjnë mirë”.
Kur u zgjua, gruaja konstatoi se kishte gjakderdhje të fortë. Ajo telefonoi partnerin, por ai nuk iu përgjigj. Më pas kërkoi ndihmën e urgjencës dhe u transportua në spital, ku mjekët konstatuan se kishte humbur shtatzëninë. Për shkak të situatës, iu nënshtrua edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale për pastrimin e mbetjeve të shtatzënisë. Gruaja e raportoi ngjarjen në Divizionin e Hetimeve Penale të Ushtrisë Amerikane në maj 2022. Ndërkohë, në qershor 2026, Sue u deklarua fajtor në gjykatën federale në Manhattan për sulmin ndaj ish-partneres. Gjatë procesit, ai shprehu keqardhje për veprimet e tij. Pavarësisht çështjes penale, ai vijoi studimet në Universitetin Cornell, ku u diplomua në maj 2026. Në shtator të po këtij viti nisi studimet pasuniversitare në Shkollën e Shëndetit Publik Mailman të Universitetit Columbia.
Sipas burimeve të cituara nga mediat amerikane, Columbia nuk ishte informuar për çështjen penale në momentin e pranimit të tij. Universiteti ndërmori veprime pasi u vu në dijeni, por nuk është bërë e qartë nëse Sue vijon të jetë student aty. Më 28 tetor 2026, ish-partnerja ngriti një padi civile në Nju Jork, duke kërkuar dëmshpërblim për sulmin dhe pasojat e tij. Ajo po përdor pseudonimin “Jane Doe” për të mbrojtur identitetin. Avokati i saj, Russell Kornblith, deklaroi se klientja është përballur për vite me pasojat e humbjes së një shtatzënie që dëshironte ta vazhdonte, si dhe me shkeljen e autonomisë mbi trupin e saj. Dënimi i Sue pritet të jepet në janar 2027. Sipas New York Post, prokurorët kanë kërkuar dy vite burg, ndërsa gjykata ka pranuar shtyrjen e seancës së dënimit për t’i dhënë mundësi të përfundojë semestrin universitar.
