Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në provincën e Parmës në Itali, ku pas prindërve, ka humbur jetën edhe vajza e tyre vetëm shtatë muajshe, si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit.
Ngjarja ndodhi gjatë natës mes 29 dhe 30 tetorit, në banesën e familjes në Mezzani. Sipas hetimeve paraprake, familja kishte ndezur një sobë me dru për të ngrohur dhomën e gjumit, por tymi i çliruar dyshohet se shkaktoi helmimin fatal.
Babai 35-vjeçar dhe nëna 32-vjeçare, me origjinë nga Senegali, dyshohet se humbën jetën në gjumë. Vajza e tyre e vogël u gjet ende gjallë dhe u transportua fillimisht në qendrën hiperbarike të spitalit Vaio në Fidenza, për t’u dërguar më pas në kujdesin intensiv pediatrik të spitalit Maggiore në Parma.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, foshnja ndërroi jetë këtë mëngjes.
Nga kjo tragjedi mbijetuan djali 14-vjeçar i familjes dhe xhaxhai i tij, të cilët pësuan helmim të lehtë dhe u larguan nga spitali pas trajtimit.
Familja, me origjinë nga Senegali, jetonte prej disa vitesh në zonën e Parmës dhe ishte zhvendosur së fundmi në banesën në rrugën Bocca d’Enza. Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes dhe shkakun e përhapjes së monoksidit të karbonit në banesë.
