Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj, i ftuar në News24, ka komentuar përplasjen e fundit mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke u ndalur te vizita e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, në ambientet e paraburgimit.
Alibeaj deklaroi se një ministër i Drejtësisë mund të shkojë në burg edhe në mes të natës për të inspektuar institucionin, nëse ka një shqetësim, por nuk mund të takojë një të paraburgosur pa respektuar procedurat ligjore.
“Një ministër Drejtësie mund të shkojë në burg në mes të natës për të inspektuar institucionin, nëse ka një shqetësim, por jo të takojë një të dënuar, aq më shumë një të paraburgosur. Sipas ligjeve të këtij shteti, ka një ligj për trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve. Specifikisht për këta të fundit, takimi fizik me ta mund të realizohet vetëm në rast se prokuroria ka dhënë pëlqimin paraprakisht, dhe këtu bëhet fjalë për SPAK-un”, u shpreh Alibeaj.
Ai tha se është i habitur nga mungesa e reagimit të Prokurorisë së Posaçme, veçanërisht pas letrës së Veliajt, ku pretendohej se kryeministri Rama do të ndërhynte për ta lënë atë në burg për 100 vite.
“Në gjithë këto ditë nuk e kam dëgjuar. Kam dëgjuar histori që transferimi i Veliajt ishte i beftë, u bë me arsye sekreti shtetëror, etj., etj. Jam i habitur me mosreagimin e SPAK-ut për këtë rast pas letrës së Veliajt, ku thuhej se do të udhëzohej SPAK-u nga ana e Ramës për ta lënë atë në burg për 100 vite”, deklaroi ai.
Sipas Alibeajt, pretendimet e Veliajt, pavarësisht nëse janë të vërteta apo jo, kanë ndikuar në besimin e opinionit publik te drejtësia. Ai theksoi se vetëm sistemi i drejtësisë ka kompetencën për të vendosur për dënimin dhe kohëzgjatjen e burgimit të një personi.
“SPAK është një institucion me mision të vështirë për të çuar përpara. Sipas versionit të Veliajt, atij i është transmetuar nga ministri i Drejtësisë një ultimatum nga kryeministri, që i kërkon të dorëzojë pushtetin e bashkisë ose kalbet në burg 100 vite. Kalbjen në burg mund ta bëjë vetëm sistemi i drejtësisë. Sa e vërtetë është kjo, askush nuk mund ta verifikojë nga ne, por një efekt te rrënimi i besimit të opinionit publik e ka”, u shpreh Alibeaj.
Në përfundim, ish-deputeti kërkoi që SPAK të sqarojë nëse ministri Toni Gogu ka marrë paraprakisht leje për të takuar Veliajn, duke theksuar se në të kundërt duhet të nisë një procedim penal.
“SPAK duhet të reagojë nëse ministri Toni Gogu ka kërkuar leje për të takuar Veliajn dhe, nëse nuk e ka bërë, duhet domosdoshmërisht të fillojë një procedim penal”, deklaroi Alibeaj.
