Aktivisti Dritan Goxhaj ka lëshuar kritika të forta ndaj Partisë Demokratike, duke akuzuar opozitën se po përpiqet të krijojë përçarje mes protestuesve për interesa politike. Ai ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit demokrat Klevis Balliu, i cili ka pretenduar se disa persona me mikrofon nuk i kanë lejuar demokratët të flasin gjatë protestave.

Goxhaj, në një lidhje live me “Prime News24”, u ndal edhe te protesta kombëtare e paralajmëruar për të shtunën, duke sqaruar se aktualisht ka një thirrje për mobilizim qytetar, por ende nuk është përcaktuar një organizim konkret.

https://youtu.be/ZyBS-drjK4k

“Të shtunën kemi thirrje për protestë kombëtare, por ende jo një organizim”, deklaroi ai.

I pyetur për zhvillimet që mund të shoqërojnë tubimin, Goxhaj theksoi se reagimi i protestuesve do të varet nga mënyra se si do të veprojnë forcat e policisë.

“Çdo reagim i protestës do të jetë, si gjithmonë, proporcional me veprimet e policisë. Policia ka gjuajtur me plumba gome e gaz lotsjellës dhe protestuesit kanë vepruar dhe janë kundërpërgjigjur me çfarë kanë mundur”, u shpreh aktivisti.

Në vijim, Goxhaj ngriti shqetësimin se protestuesit po përballen me sulme dhe etiketime jo vetëm nga qeveria, por edhe nga opozita parlamentare. Sipas tij, përpjekjet për të diskredituar pjesëmarrësit në protesta synojnë të dobësojnë lëvizjen qytetare dhe të krijojnë ndasi mes atyre që kundërshtojnë qeverinë.

“Përveç anatemimeve të qeverisë, vijnë edhe nga opozita, që na ka quajtur ‘horrat e mikrofonit’. Kjo bëhet me qëllim për të krijuar përçarje për interesa politike të thjeshta”, deklaroi Goxhaj.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb