Rinis pas ndërprerjes së përkohshme operacioni i kërkim-shpëtimit në pallatin e dëmtuar rëndë nga shpërthimi i fuqishëm në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan, ku dyshohet se ndodhet nën rrënoja 69-vjeçari Hamit Ibro ,baba i katër fëmijëve.
Komandanti i Bazës së Mbështetjes dhe Emergjencave Civile, kolonel Hajdar Gurra, në një deklaratë për mediat bëri të ditur se në terren janë angazhuar dy ekipe kërkim-shpëtimi, me gjithsej 16 persona dhe pajisjet e nevojshme për zhvillimin e operacionit.
Ai theksoi se ndërhyrja paraqet rrezikshmëri shumë të lartë për shkak të gjendjes së rëndë të godinës, e cila është thuajse tërësisht e shkatërruar.
Sipas kolonel Gurrës, kërkimet do të vijojnë deri në përfundim, por duke respektuar me rigorozitet të gjitha parametrat e sigurisë për efektivët e angazhuar.
Një nga elementët më shqetësues të operacionit janë rezultatet e përdorimit të kamerave termike, të cilat, sipas tij, tregojnë shumë pak gjasa që 69-vjeçari Hamit Ibro të gjendet ende gjallë.
Aktualisht, ekipet janë përqendruar në pjesën e godinës ku, bazuar në informacionet e familjarëve dhe strukturave vendore, mendohet se ka qenë i moshuari në momentin e shpërthimit.
Operacioni vijon mes vështirësive të mëdha, ndërsa autoritetet po bëjnë të gjitha përpjekjet për të lokalizuar 69-vjeçarin dhe për të garantuar sigurinë e personelit të shpëtimit.
