Një 51-vjeçar, i cili kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij si pastor në kishë, vendosi të ndryshojë rrënjësisht drejtim, duke lënë priftërinë për t’u bërë shofer autobusi në Disneyland. Michael Bowen thotë se pas shumë vitesh duke u përpjekur të përmbushte pritshmëritë e të tjerëve, më në fund ka gjetur stabilitetin dhe lumturinë personale që i kishin munguar.
Bowen studioi teologji dhe u shugurua pastor, duke ia kushtuar vite të tëra shërbimit fetar. Megjithatë, ai pranon se kishte zgjedhur këtë rrugë duke menduar gjithmonë për lumturinë e të tjerëve, pa pyetur veten se çfarë dëshironte në të vërtetë për jetën e tij.
Puna në kishë nuk i kishte sjellë as kënaqësinë e pritur dhe as sigurinë financiare. Në një prej kishave të vogla ku shërbente, nuk kishte mundësi të paguhej me kohë të plotë, ndaj për të siguruar të ardhura shtesë nisi të punonte si shofer autobusi shkollor. Pikërisht kjo përvojë do të ndikonte në zgjedhjen e tij të ardhshme.
Nga New Jersey drejt Disneyland
Bowen vizitoi për herë të parë Disneyland në vitin 2013. Katër vite më vonë, gjatë një tjetër pushimi, vuri re autobusët që transportonin vizitorët brenda kompleksit dhe nisi të mendonte për mundësinë e punësimit atje. Ai dhe bashkëshortja e tij në atë kohë ishin adhurues të mëdhenj të Disney-t dhe vendosën të ndërmerrnin një ndryshim të madh në jetën e tyre. Në janar të vitit 2020, kur ishte 44 vjeç, Bowen u zhvendos nga New Jersey në Florida.
Pasi siguroi patentën e drejtimit në shtetin e ri dhe kaloi periudhën e pritjes për një vend vakant, ai nisi punën në Disneyland në shkurt të po atij viti. Për herë të parë, ai kishte një punë që i ofronte siguri dhe përfitime të qëndrueshme, përfshirë pushime të paguara, sigurim shëndetësor dhe një plan pensioni. Bowen ishte aq i kënaqur sa mendonte se do të qëndronte aty deri në daljen në pension.
Jeta e tij mori një tjetër kthesë në maj të vitit 2022, kur vendosi të largohej nga puna pas një ndarjeje dhe divorci të vështirë. Ndërkohë, ai vazhdoi të administronte kanalin e tij në YouTube, Incognito Mouse, i cili fillimisht kishte përmbajtje fetare, por më pas u orientua drejt tematikave që lidhen me Disney-n. Përmes këtij kanali ai njohu edhe bashkëshorten e tij të dytë, e cila ndante të njëjtin pasion për kompaninë dhe parqet e saj argëtuese. Në vitin 2025, të dy u zhvendosën së bashku në Florida.
Gjatë kësaj periudhe, Bowen punoi si shofer autobusi për një kontraktor të Universal Studios, ndërsa priste të krijohej një mundësi e re punësimi në Disneyland. Pritja zgjati pothuajse një vit, por këtë vit, në moshën 50-vjeçare, ai arriti të rikthehej në vendin e tij të preferuar të punës. Tashmë, Bowen thotë se ka gjetur ekuilibrin që kërkonte: punon në një vend që e pëlqen, ndërsa në kohën e lirë mund të shijojë vetë atraksionet dhe magjinë e parkut argëtues. Për të, ky ndryshim nuk ishte thjesht një ndërrim profesioni, por një mundësi për të nisur një jetë ku edhe lumturia e tij personale ka rëndësi.
