John D. “Jay” Rockefeller IV, një prej përfaqësuesve të njohur të familjes së pasur Rockefeller në SHBA, është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare. Lajmi është raportuar nga The Washington Post, ndërsa familja e tij nuk ka bërë ende të ditur shkakun e vdekjes.
Rockefeller ishte një politikan demokrat me bindje progresiste, i cili shërbeu për tre dekada në Senatin amerikan. Përpara karrierës së tij në Kongres, ai mbajti për dy mandate postin e guvernatorit të Virxhinias Perëndimore.
Gjatë viteve në Senat, Rockefeller u angazhua veçanërisht për zgjerimin e aksesit në kujdesin shëndetësor, me fokus te shtresat më të varfra të shoqërisë. Ai mbështeti projektin e presidentit Bill Clinton për sigurimin shëndetësor universal në vitet 1990, i cili nuk arriti të miratohej.
Më vonë, ai u bë një nga mbështetësit e reformës së kujdesit shëndetësor të presidentit Barack Obama, e njohur si Obamacare, e cila u miratua dhe u nënshkrua në ligj në vitin 2010.
Një nga vendimet më të diskutueshme të karrierës së tij politike ishte vota në vitin 2002 në favor të autorizimit të përdorimit të forcës ushtarake kundër Irakut, nën administratën e presidentit republikan George W. Bush. Një vit më pas, SHBA-ja nisi pushtimin e Irakut.
Megjithatë, Rockefeller më vonë shprehu keqardhje për votën e tij. Në cilësinë e kryetarit të Komitetit të Inteligjencës në Senat, ai akuzoi administratën Bush se e kishte çuar vendin në luftë mbi bazën e “premisave të rreme”.
“Nëse do ta dija atëherë atë që di tani, do të kisha votuar kundër saj”, deklaroi ai për gazetën Charleston Gazette në vitin 2004.
Me një karrierë politike që përfshiu tri dekada në Senat dhe dy mandate si guvernator, Jay Rockefeller ishte një prej figurave të njohura të Partisë Demokratike në SHBA.
