Veteranët rusë të luftës kundër Ukrainës, përfshirë edhe persona me të kaluar kriminale, po rekrutohen për të punuar në shkolla, kopshte dhe institucione të tjera arsimore e kulturore. Sipas të dhënave të publikuara nga media ruse Meduza, në kuadër të kuotave rajonale të punësimit, atyre po u ofrohen pozicione si mësues të shkollave fillore, punonjës në kopshte dhe psikologë arsimorë.
Rekrutimi po shtrihet edhe në kolegje, universitete, muze dhe teatro. Kuotat e punësimit për veteranët e luftës janë tashmë në fuqi në të paktën 50 rajone të Rusisë.
Një tjetër shqetësim lidhet me mënyrën se si trajtohen të dhënat shëndetësore të këtyre personave. Udhëzimet ruse të punësimit u ndalojnë punëdhënësve të kërkojnë dokumente mjekësore që lidhen me plagosjet e marra gjatë luftës apo me çrregullimin e stresit post-traumatik (PTSD). Po ashtu, diagnozat e PTSD-së nuk duhet të regjistrohen në dosjet e personelit të punonjësve.
Megjithatë, pavarësisht këtyre politikave të punësimit, kufizimet ligjore që ndalojnë personat me dënime të caktuara penale të punojnë me fëmijë mbeten zyrtarisht në fuqi.
