Një grua ka humbur jetën pasi u përplas nga një autobus në Prishtinë, mëngjesin e së premtes. Aksidenti ndodhi rreth orës 08:00, në afërsi të Stacionit të Autobusëve, ndërsa këmbësorja pësoi plagë të rënda.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, autobusi drejtohej nga një shtetas kosovar, i cili dyshohet se ka goditur gruan teksa ajo po kalonte në rrugë. E plagosura u transportua për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
Vdekja e saj u konstatua nga ekipi mjekësor.
Me vendim të prokurorit, drejtuesi i autobusit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje. Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
