Një protestues, nga protesta e PD, ka denoncuar në një prononcim për gazetaren e News24, Xhensila Kodra, dhunën ndaj djalit të tij student, i cili, sipas tij, ka pësuar frakturë në hundë gjatë protestës.

Ai tregoi se djali kishte marrë pjesë në protestë, ndërsa në momentin e incidentit po largohej për në shtëpi. Sipas dëshmisë së tij, i riu nuk kishte kryer asnjë veprim të dhunshëm dhe nuk kishte shfaqur sjellje provokuese. Protestuesi tha se e kishte dërguar të birin në Spitalin Ushtarak, ku për tre ditë iu nënshtrua vizitave mjekësore dhe u konstatua fraktura në hundë. Ai pretendon se dëmtimi ishte shkaktuar nga dhuna e policisë.

Më tej, ai deklaroi se djali qëndroi për tri ditë në komisariat, në qeli, edhe pse kishte hundën e thyer.

“Kam qenë pjesë e protestës çdo ditë. Kam çunin student. Ishte në protestë dhe ia thyen hundën. E çova tre ditë në Spitalin Ushtarak. I bënë disa vizita dhe rezultoi që kishte thyer hundën nga dhuna policore. Ka frakturë. (Tregon foton.) Ai po ikte në atë moment për në shtëpi, pasi mori pjesë në protestë. Nuk po bënte asnjë gjë, asnjë sjellje të dhunshme. Ishte tre ditë në komisariat, në qeli, i shoqëruar, me hundën e thyer. Erald Kapri, deputeti i Mundësia, u interesua dhe kërkonte që t’i bëhej vizitë mjekësore djalit. Është si në Serbi, si me Vuçiçin. E njëjta sjellje.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: