Kërkesa e kryeministrit Edi Rama për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga Partia Socialiste ka shkaktuar kundërshti brenda Asamblesë Kombëtare të PS-së. Tre prej figurave të njohura socialiste, Pandeli Majko, Erion Braçe dhe Fatmir Xhafaj, kanë shprehur rezerva ndaj kësaj nisme, duke kundërshtuar largimin e dy anëtarëve nga partia.

Gazetari Ergyr Gjençaj, duke iu referuar burimeve nga mbledhja e zhvilluar me dyer të mbyllura, Pandeli Majko ka qenë kundër përjashtimeve, duke argumentuar se Partia Socialiste nuk duhet të kthehet në një forcë politike që largon anëtarët e saj. “PS-ja nuk duhet të bëhet një parti që përjashton”, është shprehur Majko.

Në të njëjtën linjë është pozicionuar edhe deputeti Erion Braçe, i cili mësohet të jetë shprehur: “Ne nuk jemi parti që përjashtojmë”. Ndërkohë, edhe Fatmir Xhafaj ka kundërshtuar kërkesën e kryesocialistit Rama. Sipas raportimeve, ai ka kërkuar që ndaj Spiropalit dhe Ndrecës të merren masa, por jo të shkohet deri te përjashtimi i tyre nga partia.

Qëndrimet e tre socialistëve janë shfaqur gjatë diskutimeve në Asamble, ku propozimi për largimin e dy figurave ka sjellë debate mes anëtarëve dhe drejtuesve të partisë. Në përfundim, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca vijojnë të jenë anëtarë të Partisë Socialiste.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb