Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq një jurist të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), i akuzuar për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka fshirë në mënyrë të paligjshme shënimin kufizues të një kontrate sipërmarrjeje nga kartela e një pasurie të paluajtshme në zonën e Selitës, në Tiranë.

Sipas organit të akuzës, veprimi i punonjësit të Kadastrës ka cenuar interesat e një kompanie dhe ka krijuar mundësinë që e njëjta pronë t’i kalonte në marrëdhënie kontraktore një shoqërie tjetër.

Në përfundim të hetimeve për procedimin penal nr. 6824 të vitit 2025, Prokuroria ka marrë të pandehur shtetasin A.B., jurist pranë Drejtorisë Vendore të ASHK-së Vlorë, i cili akuzohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Hetimi nisi pas kallëzimit të një shtetaseje me inicialet J.D., administratore e shoqërisë “Triumph Company” sh.p.k., e cila pretendonte se interesat e kompanisë ishin cenuar pas fshirjes së një shënimi kufizues në regjistrin kadastral.

Çështja lidhet me një pasuri me sipërfaqe 3250 metra katrorë, e ndodhur në zonën kadastrale 3292, në Selitë të Tiranës. Pronarët e tokës kishin lidhur me shoqërinë “Triumph Company” një kontratë sipërmarrjeje për zhvillimin e pronës, në të cilën ishte përcaktuar se ndërtimi duhej të realizohej brenda tre vjetëve nga marrja e lejes së ndërtimit.

Kjo kontratë ishte pasqyruar edhe në dokumentacionin kadastral, ku ishte vendosur një shënim bllokimi në favor të shoqërisë “Triumph Company”. Ky shënim kishte si qëllim të garantonte mbrojtjen e interesit kontraktor të kompanisë mbi pasurinë dhe të pengonte ndryshimet në regjistrin e saj që mund të cenonin të drejtat e krijuara nga marrëveshja.

Sipas hetimeve, shënimi kufizues u fshi nga juristi A.B., të cilit praktika për këtë pasuri në Tiranë i ishte caktuar nëpërmjet shortit elektronik, pavarësisht se ai ishte punonjës i Drejtorisë Vendore të ASHK-së Vlorë. Fshirja u krye pas një kërkese të paraqitur nga pronarët e tokës, të cilët pretendonin se shoqëria “Triumph Company” nuk kishte realizuar zhvillimin e pronës. Në mbështetje të kërkesës ishte paraqitur edhe një njoftim noterial, përmes të cilit familja e pronarëve i kishte komunikuar kompanisë ndërprerjen e marrëdhënies kontraktore.

Pas fshirjes së shënimit kufizues nga kartela e pasurisë, pronarët lidhën një kontratë të re sipërmarrjeje për të njëjtën pronë me shoqërinë “Al Development” sh.p.k. Ky veprim është bërë pjesë e hetimit të Prokurorisë, e cila ka analizuar nëse punonjësi i Kadastrës kishte pasur bazë ligjore për të ndërhyrë në regjistrin e pasurisë dhe për të hequr shënimin që mbronte interesat e kompanisë së parë.

Nga verifikimet e kryera, Prokuroria ka arritur në përfundimin se pretendimi i pronarëve për moszhvillimin e pronës nuk përbënte një provë të mjaftueshme për përfundimin automatik të kontratës. Sipas organit të akuzës, në kontratë ishte përcaktuar qartë se afati trevjeçar për realizimin e ndërtimit fillonte nga momenti i marrjes së lejes së ndërtimit dhe jo nga data e nënshkrimit të marrëveshjes.

Për këtë arsye, sipas Prokurorisë, juristi i ASHK-së nuk mund të merrte përsipër të vlerësonte vetë nëse kontrata kishte përfunduar, duke u mbështetur vetëm te pretendimet e njëanshme të pronarëve dhe njoftimi noterial. Për të fshirë shënimin kufizues, duhej të ekzistonte një bazë ligjore që të vërtetonte zgjidhjen e marrëdhënies kontraktore.

Prokuroria vlerëson se A.B., duke pranuar kërkesën e pronarëve dhe njoftimin noterial si të mjaftueshëm për të hequr kufizimin, ka kryer një veprim pa bazë juridike. Si pasojë, është cenuar interesi i ligjshëm i shoqërisë “Triumph Company” për ruajtjen e pozitës së saj kontraktore të regjistruar në kadastër.

Sipas akuzës, fshirja e shënimit ka krijuar mundësinë që e njëjta pasuri të vihej në dispozicion të një subjekti tjetër, konkretisht shoqërisë “Al Development”, me të cilën pronarët nënshkruan një kontratë të re sipërmarrjeje. Në përfundim, Prokuroria e Tiranës ka çmuar se veprimet e juristit kanë sjellë dëmtimin e interesave të ligjshëm të shoqërisë “Triumph Company” dhe ka vendosur dërgimin e çështjes në gjykatë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb