Qendra muzeale garda “Trashëgimia për të gjithë” në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Shoqatën e Koleksionistëve të Shqipërisë, kanë çelur ekspozitën me temë “Monarkia” me pjesë të koleksionit të Artan Lames. Medalje, flamuj, stema dhe uniforma janë pjesë e saj. E bija e koleksionistit të ndjerë, Lisia Lame, foli për objektet e shfaqura.
“Jemi përpjekur të gjejmë objekte që lidhen me shqiptarët, ka flamuj, uniforma dhe tekstili krijon lidhje emocionale me njerëzit. Kemi objekte si letra cigaresh që janë të sigluara me Shqipërinë. Mendoj se ka gjëra që ai do i ndërronte, medaljet nuk mendoj se janë shfaqur kaq shumë ndonjëherë”, tha Lisia Lame.
Për Ministrin e Kulturës, Blendi Gonxhja, i cili ka pasur miqësi me Lamen, çelja e kësaj ekspozite, pa praninë e Artanit, lë boshllëk.
“Tani kishte një kërkesë maniakale për të mbledhur dhe koleksionuar sipas vlerës që mendonte se kishin duke besuar që një ditë do t’i bënin mirë Tiranës e vendit si dhe infrastrukturës kulturore ku do të ekspozoheshin. Puna që bëri për ta kataloguar për ta shfaqur dhe për ta botuar ”, tha Blendi Gonxhja.
Artan Lame, koleksionist e studiues u nda nga jeta një vit më parë, para kohe. Ai kishte koleksione të mëdha që dëshmojnë elemente të shtetformimit, të uniformave, flamujve, stemave dhe njëherësh, kohë të ndryshme historike.
