Emisioni investigativ Vetting, News24
Prokurorja Merita Selimi dhe problemet me pasurinë
Më 12 mars 2025, një nga institucionet e krijuara enkas për Vettingun e gjykatësve dhe prokurorëve, Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të merrte një nga vendimet më kontradiktore në sistemin e drejtësisë, duke rikthyer në detyrë një prokurore e cila ishte përjashtuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Ajo që do të bënte KPA-ja do të linte shenjë në sistemin e drejtësisë pasi për të njëjtin kriter që do të skualifikonte një listë të gjatë prokurorësh e gjykatësish, po për atë kriter do të mbyllte sytë për magjistraten Merita Selimi. Selimi, ish prokurore e Lushnjes dhe tashmë prokurore e Fierit kishte marrë një kredi të butë për shtëpi në Tiranë, pa plotësuar kriteret në shkelje të ligjit për kreditë e buta.
Kriteri i deklarimeve të pasakta, që mund të kenë patur me shumë mundësi përfitimin e një kredie që nuk i takonte, tregojnë se pas mantelit të prokurores nuk qendron një njeri që zbaton gjithmonë ligjin, por një njeri që e shmang atë kur bëhet fjalë për interesat e veta. Në këtë artikull, nëpërmjet denoncimeve që kanë ardhur në redaksinë “Vetting”, ne do të tregojmë se si një prokurore që ka shpërfillur dhe shkelur ligjin njëkohësisht, vazhdon të jetë në detyrë kur tashmë duhet të ishte përjashtuar nga sistemi i drejtësisë, nëse bazohemi te standartet e ndjekura nga vetë institucionet e Vettingut.
Historia e Merita Selimit do të niste në sistemin e drejtësisë në vitin 1992, kur ajo do të bëhej prokurore e Lushnjes. Një nga njollat më të errëta të prokurores do të ngelej vetëvrasja e të ndjerit Qamil Zelas. Më 28 tetor 2014, Policia e Lushnjes do të arrestonte këtë të fundit për çështjen e energjisë elektrike pasi pretendohej se ai e merrte energjinë nëpërmjet kontratës familjare për 2 dyqanet e tij. Materialet hetimore do ti kalonin Prokurorisë së Lushnjes, e cila asokohe drejtohej nga prokurorja Selimi. Dy ditë më pas, Zela do të qendronte në burg pasi Gjykata do të pranonte kërkesën për arrest me burg nga prokuroria.
Familjarët e vet deklaruan se dëmi ishte rreth 35 mijë lekë të vjetra dhe se ishin gati ta paguanin. Por neglizhenca nga prokuroria dhe qendrimi për 2 muaj në paraburgim, do të bënin që Qamil Zela të vriste veten në qelinë e burgut të Rrogozhinës. Ngjarja e rëndë do të trondiste opinionin publik dhe opozita do të akuzonte qeverinë për masat e ashpra për çështjen e energjisë elektrike. Ish-prokurori i përgjithshëm, Adriatik Llalla nuk do ta linte me kaq këtë skandal që përfshiu Prokurorinë e Lushnjes, duke shkarkuar nga drejtimi Merita Selimin. Asokohe në media do të qarkullonte lajmi se rasti i të ndjerit Zela do t’i kushtonte postin prokurores Selimi. Faktikisht magjistratja humbi drejtimin e institucionit, por jo profesionin ndërkohë që Qamili humbi jetën për shkak të një tragjedie që mund të ishte shmangur.
Interesant është fakti se Komisioni i Vettingut do ta përmendte urdhrin e 7 janarit 2015 për të verifikuar nëse Selimi kishte firmosur shkresa pas lirimit. Askush nuk pyeti pse u lirua, cili prokuror kërkoi “arrest me burg” dhe a e miratoi drejtuesja Selimi?
Problemet me pasurinë demaskuan prokuroren Selimi
Në raportin zyrtar për procesin e “Vetting” që u mbyll në fund të vitit 2025, një nga arsyet më shpeshta që janë shkarkuar nga sistemi prokurorë dhe gjykatës lidhet me kriterin e pasurisë. Pikërisht, pasuria ka qenë nyja e problemeve sepse njerëzit që bëjnë korrupsion dhe nuk lënë prova pas, si problem të vetëm kanë futjen në qarkullim të parave nga korrupsioni ose aktivitete të paligjshme. Teksa me vite pafund, prokurorët dhe gjykatësit e përjashtuar nga sistemi nuk ishin futur asnjëherë në sitë, institucionet e “Vetting” zbuluan se shumica e tyre nga momenti i punësimit si magjistratë, ana e tyre financiare kishte marrë zhvillim të jashtëzakonshëm duke ia kaluar një biznesi normal.
Në fakt, Merita Selimi kishte probleme me deklarimin e pasurisë sepse shumë nga deklaratat e saj nuk përputhen me shifrat, të cilat janë shkelje të evidentuara nga shkalla e parë e “Vettingut”, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Në vitin 2003, kur magjistratët u detyruan të deklaronin pasurinë, prokurorja shënoi me shkrimin e saj një gjendje kesh prej 4 milionë lekësh, me burim “kursime nga puna 20-vjeçare”. Por detaji që do të bënte diferencën ishte shënimi. Kursimet, do të shkruante prokurorja Selimi, ndodhen “pjesërisht në bankë, Lushnje, pjesërisht për përdorim kambizmi vëllezërve të mi”. Pra, një prokurore deklaronte zyrtarisht se paratë e saj ishin vënë në qarkullim në këmbimin valutor të vëllezërve të saj.
Por çfarë aktiviteti ishte ky?
Përgjigjen do ta jepte vetë Selimi para Komisionit. Kambizmi i vëllezërve “është formalizuar vetëm në vitin 2007, por është filluar menjëherë pas vitit 1990”. Dokumentet e Vettingut e konfirmojnë se zyra u regjistrua si person i tatueshëm në 20 qershor 2007 dhe u licencua nga Banka e Shqipërisë më 17 korrik 2007. Edhe Kolegji shkruan se para vitit 2007, ky aktivitet “kryhej në mënyrë informale”. Pra, për vite me radhë kursimet e një prokuroreje qarkullonin në një kambizëm të paregjistruar dhe të palicencuar. Këtë e thotë vetë prokurorja Selimi, me firmën e saj. Por a mund t’i vërë një prokuror paratë e veta në qarkullim, në një aktivitet tregtar pa licencë? Sipas avokatit Elton Laska, ky rast lë vend për dyshime.
“Në të gjitha rastet është e paligjshme që një subjekt i Vettingut të ketë investuar një shumë dhe të marrë shuma të padeklaruara, qoftë edhe nga biznesi”, tha avokati Laska për “Vetting”. Sipas avokatit, fakti që kambizmi ishte i vëllezërve dhe jo i magjistrates nuk e çliron këtë të fundit nga përgjegjësia. “Të gjitha subjektet e Vettingut kanë pasur detyrimin që të deklarojnë të gjitha të ardhurat familjare, duke filluar nga të ardhurat e prindërve, të familjarëve, të fëmijëve. Absolutisht është detyrim ligjor që të ardhurat që vijnë nga bizneset, duhet t’i deklarojë mbi bazën e të gjitha të dhënave, të kontratave, apo mënyrës se si përfitohen dhe vijnë ato të ardhura në familjen e subjektit”, u shpreh avokati Laska.
Kjo lidhje nuk mbaroi në 2003 pasi për të justifikuar 35 mijë dollarët që depozitoi në bankë atë vit, prokurorja Selimi kërkoi që të llogariteshin të ardhurat e vëllezërve nga kambizmi dhe rrobaqepësia, të cilat, siç pranoi vetë, nuk i vërtetonte dot, sepse dokumentet “janë djegur gjatë trazirave të vitit 1997”. Komisioni nuk i pranoi dhe rezultati ishte një mungesë burimesh të ligjshme prej 1.15 milion lekë vetëm për kursimet deri në vitin 2003.
Kredia e butë, kriteri që dogji prokurorë dhe gjykatës fali prokuroren Selimi
Nga dhjetori i vitit 2010, prokurorja Merita Selimi dhe bashkëshorti i saj do të blinin me anë të një kontrate paraprake një apartament prej 87 metrash katrorë në kryeqytet, me çmim rreth 74 mijë euro. Pagesa do të ndahej në disa këste, ku kësti i parë 22 mijë euro do të paguhej jashtë zyrës noteriale. Ndërsa pjesa tjetër do të paguhej me një kredi prej 5 milionë lekësh. Por kjo nuk do të ishte një kredi e zakonshme, por një kredi me kushte lehtësuese nga shteti shqiptar, me burim paratë publike, për funksionarët që nuk kanë strehim aty ku punojnë. Prokurorja shkroi në kërkesë se ajo dhe bashkëshorti nuk kishin banesë në emrin e tyre dhe do të zhvendoseshin në Tiranë.
Por Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 600, datë 12.9.2007, që rregullon këtë kredi, është i qartë se ku duhet të blihet banesa sepse atje ku do të ushtrohet detyra, aty do të blihet edhe apartamenti. Prokurorja punonte në Lushnjë ndërkohë që apartamenti u ble në Tiranë dhe një ndër këto pika të VKM-ja, konkretisht pika 6, shkronja “ç”, vendos edhe një kusht financiar:
“…ç) nuk kanë në pronësi të tyre apo bashkëshortit/tes pasuri të luajtshme, mjete motorike për qarkullim në tokë/det/ajër, likuiditete, tituj pronësie, përfshi edhe të drejta reale pasurore, me vlerë më të madhe se vlera e shumës maksimale për kreditim.”
Shuma maksimale ishte 5 milionë lekë. Sipas shpjegimeve të vetë prokurores, në fund të vitit 2010 familja kishte kesh dhe në bankë 5.32 milionë lekë. Edhe Kolegji gjeti rreth 5,2 milionë lekë, pra mbi kufirin. Natyrshëm lind pyetja: A e ka zbatuar prokurorja këtë vendim, kur mori paratë e shtetit në shkelje të të dy kushteve të tij? Si e justifikoi Tiranën? Ajo tha se bashkëshortit iu ofrua një punë pranë një shkolle të mesme private në Tiranë dhe se priste transferimin në Prokurorinë e Tiranës. Komisioni nuk gjeti asnjë kërkesë për transferim. Ndërsa deklaratat e saj tregojnë se bashkëshorti mbeti mësues në Lushnje, në vitin 2004 te shkolla “Foto Puka”, nga 2021 deri në 2024 te gjimnazi “Vath Korreshi”. Puna në Tiranë dhe transferimi nuk erdhi kurrë, madje as sot, por kredia e butë, po.
Gjatë Vetingut, prokurorja deklaroi se apartamenti “nuk furnizohet me energji elektrike” dhe se “nuk është as i mobiluar”. Banesa e blerë me kredi të subvencionuar për strehim nuk strehonte askënd, por në dosje ka një detaj për të cilin askush nuk bëri pyetje.
Kontrata e energjisë mban shënimin “Lidhje e re në datën 30.7.2013, ndryshuar emri nga Q. S. në Merita Selimi”. Kush është Q. S. dhe pse kontrata e apartamentit të saj ishte në emër të dikujt tjetër deri në vitin 2013?
Kësti i dytë i apartamentit, 51.6 mijë euro, është pika ku dosja errësohet. Më 26 korrik 2011 prokurores i disbursohet kredia prej 5 milionë lekësh. Tre ditë më pas, Selimi ia kalon kompanisë ndërtuese, por kjo e fundit ia kthen po atë ditë, me shënimin “Kthim shume pasi do të paguhet në euro sot”. Po atë ditë, bashkëshorti i Selimit derdh kesh në sportel rreth 52 mijë euro. Një javë më vonë, në 5 gusht, prokurorja tërheq 5 milionë lekët nga llogaria. Pyetja që lind nga të gjitha këto veprime është e thjeshtë, nga erdhën 52 mijë euro kesh? Prokurorja nuk e kishte përmendur kurrë këtë, as në deklaratat e pasurisë, as në deklaratën Vetting, as para inspektorit të ILDKPKI-së në vitin 2016, kur u pyet posaçërisht. Vetëm kur e pyeti Komisioni, tregoi se paratë ia kishte dhënë “në mirëbesim” vëllai kambist dhe se ia ktheu në lekë pas një jave.
Për ta provuar, solli dy dokumente nga vëllai, që nuk përputhen me njëri-tjetrin. Në një deklaratë pa datë, vëllai thotë se motra ia ktheu 7.1 milionë lekë. Në raportin ditor të kambizmit për 29 korrikun 2011, me shënimin “kunati”, shuma është 7.38 milionë lekë. Diferenca e ngelur rreth 269 mijë lekë, për të njëjtin veprim, nga i njëjti person.
Madje ka diçka edhe më të rëndë në të gjithë këtë histori. Banka e Shqipërisë i konfirmoi Komisionit se kjo zyrë “nuk ka dërguar pranë saj raportime për vëllimin e blerjeve dhe shitjeve të valutave për vitin 2011”. Raporti ditor që u paraqit në Vetting nuk i ishte raportuar kurrë autoritetit mbikëqyrës. Ndërkohë, sipas Komisionit, nëpër llogaritë e vëllezërve qarkulluan rreth 1,3 milionë euro në vitin 2010 dhe rreth 925 mijë euro në 2011, ndërsa në Bashkinë Lushnjë shoqëria deklaronte qarkullim vjetor rreth 1,2 milionë lekë. Një zyrë që qarkullon mbi një milion euro në vit, që nuk raporton në Bankën e Shqipërisë dhe që i jep kesh në mirëbesim motrës prokurore: A e ka kontrolluar ndonjëherë Tatimi apo Njësia e Inteligjencës Financiare?
Kolegji nuk pa asnjë problem. I quajti vëllezërit persona “të cilët kryejnë aktivitet të licencuar në tregun e këmbimit valutor” dhe e gjeti “bindës” shpjegimin e prokurores, duke u mbështetur pikërisht te raporti me shënimin “kunati”, një akt që Kolegji vetë e quan “të njëanshëm”.
Paratë e dhëna dorazi, pa asnjë gjurmë bankare dhe pa asnjë rresht në deklaratat e pasurisë, është çeshtja që sipas avokatit Elton Laska, Vettingu kishte për detyrë ta shoshiste deri në fund. “Organet e Vettingut janë treguar në përgjithësi të ashpra. Por patjetër ka pasur raste kur kanë pranuar edhe se personat e rivlerësuar kanë marrë të ardhura nga familjarët e tyre, me borxh, me njëri-tjetrin, me kontrata që hanë diskutim”, u shpreh avokati Laska.
Deklarata kompromentuese dhe raportet sekrete për prokuroren Selimi
Nga marsi 2016, inspektorët e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave e thirrën prokuroren Merita Selimi për të shpjeguar gjendjen e saj kesh. Po atë ditë, Selimi do të dorëzonte deklaratën e pasurisë për vitin 2015, me shënimin “Cash-in në banesë e kam reduktuar, konkretisht më 3.2.2016 kam depozituar 2 milionë lekë në Credins Bank […] si dhe 2 milionë lekë më 23.3.2016 në llogarinë rrjedhëse të pagës në BKT”. Një deklaratë e dorëzuar më 21 mars përshkruan një depozitim të 23 marsit, dy ditë më vonë. Ose deklarata u ndryshua pas takimit me inspektorin, për të përshtatur gjendjen kesh me pyetjet që sapo i ishin bërë, ose prokurorja deklaroi si të kryer një veprim që ende nuk e kishte bërë. Por ligji nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive”, në nenin 4, kërkon që deklaruesi të deklarojë brenda datës 31 mars të cdo viti gjendjen deri më 31 dhjetor të vitit paraardhës të pasurive dhe burimet e krijimit të tyre etj.
Një aspekt shumë i rëndësishëm është raporti i parë i shërbimeve të sigurisë për prokuroren Selimi, i nëntorit 2017, i cili ishte pozitiv. Por në qershor 2018, Komisionit i mbërriti informacion i klasifikuar “lidhur me dyshime mbi veprimtari të kundërligjshme të subjektit, të shfaqura në formën e ndërveprimit korruptiv, në raport me disa çështje penale”. Raporti i përditësuar i gushtit 2022, sipas Kolegjit, e ndryshoi qëndrimin “nga përshtatshmëri në vazhdimin e detyrës, në papërshtatshmëri në vazhdimin e detyrës”. Komisioni kontrolloi dy çështje penale dhe e mbylli figurën si “të besueshme”. Kolegji nuk e rihapi fare dh raporti i papërshtatshmërisë përmendet vetëm një herë në vendimin e Kolegjit, në mendimin e pakicës të gjyqtares Natasha Mulaj, e cila shkruante se subjekti “dyshohet se është përfshirë në veprime korruptive”. Një raport sigurie që e shpall të papërshtatshme dhe dy bilance negative të pranuara nga vetë Kolegji, kanë ngritur pikëpyetje se kush mund ta ketë mbështetur prokuroren Selimi.
INA RAMA “AMNISTOI” PROKUROREN ME SHKELJE TË SHUMTA
Më 27 korrik 2023, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të shkarkonte prokuroren Merita Selimi me dy vota kundër një. Kryesuesja Brunilda Bekteshi dhe anëtarja Etleda Çiftja votuan për shkarkim ndërkohë që relatori Lulzim Hamitaj do të votonte kundër. Ndër shkaqet e gjetura nga institucioni i Vettingut rezultonin mungesë burimesh të ligjshme me vlerë 3,1 milionë lekë, deklarim i pasaktë dhe një kredi e butë e përfituar duke shmangur ligjin, “në kundërshtim me etikën e magjistratit”. Me vendimin e Komisionit, Merita Selimi u pezullua nga detyra. Nga 27 korriku 2023 deri më 12 mars 2025, pothuajse 20 (njëzet) muaj, ajo ishte prokurore e pezulluar, në pritje të vendimit të Kolegjit.
Por Kolegji i Posaçëm i Apelit me relatore Ina Ramën dhe kryesuese Rezarta Schuetz, i zbuti shifrat. Megjitahtë edhe pas korrigjimeve, dy bilance mbetën negative me vlerë rreth 1 milion lekë për kursimet deri në 2003 dhe 470 mijë lekë për depozitën e marsit 2012. Kolegji pranoi edhe deklarimin e pasaktë dhe konfirmoi se kredia e butë ishte marrë në kundërshtim me VKM-në. Edhe pse i njohu shkeljet, çuditërisht Kolegji e ktheu në detyrë, në emër të “parimit të proporcionalitetit”. Për bilancin e vitit 2003, Kolegji arsyetoi se të ardhurat e familjes “objektivisht, duhet të kenë ekzistuar pavarësisht se rezultoi e paprovuar sasia e të ardhurave” dhe se vëllezërit mund ta zhvillonin veprimtarinë “në kushtet e informalitetit të lartë të kohës”. Informaliteti i kambizmit, ku qarkullonin kursimet e prokurores, u bë justifikim për pasurinë e saj. Por paratë ishin të prokurores dhe avokati Laskae u shpreh për redaksinë “Vetting” se një magjistrat nuk mund të jetë as përfitues i pjesshëm i një aktiviteti ekonomik pa licencë që e ushtron dikush tjetër. Megjithatë Kolegji e ktheu informalitetin nga problem në justifikim.
Për kredinë e butë, Kolegji shkroi se blerja në Tiranë “tregon orientimin e subjektit për vijimin e karrierës së saj”. Një shkelje e ligjit u kthye në “orientim karriere”. E megjithatë, është po ky Kolegj që ka vendosur rregullin për provën e cash-it. Prokurorja Selimi nuk e kishte deklaruar në deklaratat periodike pakësimin e cash-it për apartamentin. Rasti i Selimit ngriti një pyetje goditëse për Kolegjin e Posaçëm të Apelit, pse në këtë rast Kolegji e toleroi prokuroren Selimi dhe shkarkoi të tjerët?
Një nga shumë rastet kur magjistratë u shkarkuan nga Vettingu vetëm prej kredisë së butë është rasti i prokurorit Dritan Peka, i cili u shkarkua nga Kolegji sepse nuk kishte pasqyruar në deklaratë 1,5 milionë lekë kesh. Trupa që e shkarkoi njëzëri, më 22 tetor 2020, kryesohej nga Natasha Mulaj, me relatore Rezarta Schuetz dhe në të ishte edhe Ina Rama. Dy nga gjyqtarët që shkarkuan Pekën janë dy nga gjyqtaret që konfirmuan Merita Selimin me dy bilance negative, deklarime të pasakta dhe një kredi të butë në shkelje të ligjit. E vetmja që mbajti të njëjtin qëndrim ishte Natasha Mulaj, që këtë herë mbeti në pakicë.
Dritan Peka nuk është rast i izoluar sepse sipas avokatit Elton Laska për shuma shumë më të vogla, magjistratë të tjerë kanë humbur togën. “Ka pasur plot raste kur janë përjashtuar nga detyra prokurorë apo gjyqtarë për dhjetë metra katrorë, për shtesë të pajustifikuar të një banese, apo për shuma 150 mijë apo 250 mijë lekë të vjetra”, tha avokati Laska. Për prokuroren Selimi, edhe pas të gjitha zbritjeve të Kolegjit, mbetën 1 milion lekë dhe 470 mijë lekë pa burim të ligjshëm dhe përsëri ajo mbeti në detyrë.
Pas Vettingut, i njëjti model me deklaratat e Prokurores Selimi
Pas konfirmimit, do të prisnim që deklaratat e prokurores të ishin shembull saktësie. Nuk janë. Në vitin 2022 ajo deklaron se depozita në euro u shtua me 37,5 mijë euro, “nga paga”, kur paga neto e atij viti ishte rreth 26 mijë euro. Në vitin 2023, gjendja kesh pakësohet me 200 mijë lekë, me shënimin “Nuk e zotëroj, Tjetër”. Në po atë vit, viti i shkarkimit dhe i pezullimit nga detyra, paga neto arrin 4.8 milionë lekë, më e larta e të gjitha viteve. Në vitin 2024, bonot e thesarit pakësohen dy herë me të njëjtën shumë, 2.44 milionë lekë, në dy rreshta identikë, pa u thënë ku shkuan paratë. Një prokurore e pezulluar nga detyra që nga korriku, me pagën më të lartë të të gjitha viteve pikërisht në vitin e pezullimit. Si u formua kjo pagë? Kjo është një nga pyetjet që emisioni ia drejton Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Dhe pikërisht në këto vite, vajza e prokurores studioi në një universitet privat në Tiranë, me tarifë vjetore nga 250 mijë (dyqind e pesëdhjetë mijë) deri në 420 mijë (katërqind e njëzet mijë) lekë. Në deklarata nuk ka asnjë gjurmë se nga u paguan. A u paguan nga paratë që ajo nuk i shpjegon dot? Dhe kur vajza erdhi vërtet në Tiranë, pikërisht arsyeja me të cilën u justifikua kredia e butë në 2010, ku banoi?
Por formulari i deklarimit nuk lë vend për interpretim. Pakësim i shpjeguar me “tjetër” nuk është përshkrim i hollësishëm. Natyrshëm lind pyetja: a e ka zbatuar prokurorja këtë detyrim pas Vetingut, apo mësimi i vetëm që nxori nga Kolegji ishte se paqartësia nuk ndëshkohet?
Sepse Vetingu nuk ishte vija e finishit. Avokati e thotë pa ekuivok: detyrimi për të deklaruar çdo lek nuk mbaron me vendimin e Kolegjit.
“Jo vetëm në organin e Vetingut ka qenë detyrim që të deklarosh dhe të justifikosh të gjitha të ardhurat e mëparshme ndër vite, për gjyqtarët apo prokurorët, por edhe për familjarët e tyre, duke filluar nga babai, vëllai, motra dhe fëmijët e këtyre gjyqtarëve apo prokurorëve. Absolutisht edhe në vazhdimësi, pas kalimit të Vetingut, të gjithë këta gjyqtarë apo prokurorë kanë detyrim ligjor që të deklarojnë çdo të hyrë për familjen e tyre apo për veten personalisht, në llogaritë bankare apo në natyrë. Mosdeklarimi i tyre përbën shkak për përjashtimin e tyre nga ushtrimi i profesionit të gjyqtarit apo të prokurorit”, tha avokati Laska.
Denoncimi i Sefedin Shefës
Sefedin Shefa, qytetari lushnjar që prej 30 vitesh lufton për truallin ku dikur ishte kinemaja dimërore e Lushnjës, e ka denoncuar prokuroren Selimi edhe në Vetting dhe në SPAK. “Kam ardhur në emisionin Vetting për të denoncuar prokuroren Merita Selimi dhe gjyqtaren Esmeralda Xhili për një problem prone që unë kam në qytetin e Lushnjës”, tha Shefedin Shefa për “Vetting”. Shefa pretendon se, pasi gjykata vendosi me vendim të formës së prerë që dokumentet e pronës së kundërshtarit të tij ishin të falsifikuara, prokurorja Selimi ekzekutoi fshirjen e tyre në vitin 2021, por një vit më vonë e mori atë vetë si të dyshuar për falsifikim, me kallëzim të të njëjtit person që kishte falsifikuar dokumentet, por komisioni e gjeti denoncimin të pabazuar. “Në momentin që Gjykata e Apelit Vlorë zhbllokon, më jep të drejtë për pezullimin që kishte bërë Gjykata e Shkallës së Parë Lushnjë, menjëherë Merita Selimi më merr si të pandehur për falsifikim. Gjë të cilën nuk e kam as imagjinuar, që të kem vënë dorë në dokumentet e babait tim. Nga denoncues, unë në rastin konkret jam kthyer në i pandehur nga Merita Selimi”, u shpreh Sefedin Shefa.
Ky i fundit shkon më thëllë duke thënë se “e fshehën ata që kanë bërë hetime kundër tij dhe në vend të tij është vëndosur një dokument fotokopje”. “Ne e kemi të sigurt procesverbalin e sekuestrimit të materialeve nga ana e prokurorit të asaj kohe, Arben Dyla,” shtoi më tëj Shefa. Sipas avokatit Laska, kjo çështje kërkon një hetim nga ana e prokurorisë se çfarë ka ndodhur në rastin konkret. “Heqja e dokumentit nga fashikulli gjyqësor apo nga fashikulli penal përbën vepër penale. Nuk mund të humbasin dokumente apo prova që rezultojnë të jenë në një fashikull të caktuar, sepse kjo përbën përgjegjësi penale për atë që ka marrë përsipër heqjen e tyre”, deklaroi avokati Laska.
Avokati shton më tej se ka një procedurë që duhet ndjekur kur dokumentet e pronës shpallen të falsifikuara me vendim të formës së prerë. “Unë nuk kam informacion për rastin konkret. Por kur gjykata konstaton që një objekt i caktuar është regjistruar apo është përfituar me dokumente të falsifikuara, kjo godinë nuk mund të përdoret dhe nuk mund të gëzohet nga individët që e kanë përfituar me dokumente të falsifikuara. Pastaj bëhet një vendimmarrje tjetër se çfarë ndodh me këtë objekt”, u shpreh avokati Laska. Megjithatë në Lushnje ndodhi e kundërta. Ai që u shpall pronar me dokumente të falsifikuara nuk u ndalua ndërsa ai që i denoncoi falsifikimet u bë vetë i dyshuar.
Merita Selimi sot është prokurore në Fier. Ajo heton, akuzon dhe kërkon dënime në emër të shtetit shqiptar. Komisioni gjeti bilance negative, deklarime të pasakta dhe një kredi të butë me para publike në shkelje të ligjit ndërkohë që Shërbimi i sigurisë e shpalli të papërshtatshme.
Redaksia “Vetting” ju drejtua me një kërkesë për koment Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ILDKPKI-së dhe Inspektoriat të Lartë të Drejtësisë për kredinë e butë dhe për kambizmin që huazonte cash në mirëbesim për rastin e prokurores Merita Selimi. Deri në publikimin e këtij materiali nuk pati asnjë reagim nga institucionet, për rastin e kredisë së butë dhe deklarimet për paratë që kanë qarkulluar nëpërmjet biznesit të palicencuar të familjarëve të magjistrates Selimi.
