Aktivisti Erion Murataj foli për protestën kombëtare më 28 nëntor përpara Kryeministrisë, duke deklaruar se qytetarët do të qëndrojnë në shesh deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.

I ftuar në emisionin “News24 Fundjavë”, Murataj tha se protesta do të jetë një mobilizim i gjerë qytetar, ku pritet të ketë pjesëmarrje edhe nga diaspora, e cila sipas tij do të grumbullohet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Ai theksoi se 175 ditët e protestës kanë shërbyer për të konsoliduar lëvizjen dhe për të identifikuar, sipas tij, elementët që kanë tentuar të përçajnë protestuesit.

Murataj tha gjithashtu se në protestat e mëparshme kanë pasur ndikim elementë nga Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe persona që ai i lidh me pushtetin, duke përmendur edhe emrat e Belinda Ballukut dhe Ergys Agasit.

Ai shtoi se protesta e 28 nëntorit shënon nisjen e asaj që e cilësoi si betejën përfundimtare politike kundër qeverisë Rama.

“Në datë 28 do të jetë edhe protesta kombëtare. Vendimi është që çdo qytetar zbret në sheshin përpara Kryeministrisë për të mos u kthyer më në shtëpi pa hequr Edi Ramën. Ne nuk kthehemi në shtëpi më pa hequr Edi Ramën. Diaspora do të jetë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. 175 ditë kanë shërbyer që të shosishin çdo element që ka qenë përçarës, në atë protestë. E kemi konstatuar që protesta ka pasur edhe elementë dashakeqës ndaj saj. Nga PS, PD por edhe nga elementë kriminal të pushtetit sic kanë qenë njerëz të Belindës dhe Ergys Agasit, unë kam pasur dhe situatë personale…Por ajo bërthamë në shesh ka vërtetuar që mban flakën ndezur dhe beteja finale nis me 28 dhe mbaron me dorëheqjen e Ramës”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb