Zgjedhjet lokale të 9 majit dhe përpjekjet e opozitës për të dalë me një kandidat të përbashkët për Bashkinë e Tiranës ishin në fokus të diskutimeve në emisionin “Prime News24” në News24, ku kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, dhe deputeti demokrat Belind Këlliçi prezantuan qëndrimet e tyre për mënyrën se si duhet të ndërtohet alternativa opozitare në kryeqytet.

Lapaj deklaroi se lëvizja që drejton nuk funksionon si një parti e përqendruar te kryetari dhe se synimi i saj është krijimi i mekanizmave që do t’i japin Tiranës mundësinë për të ndryshuar drejtimin politik.

Sipas tij, zgjidhja më e mirë për të siguruar fitoren e opozitës është krijimi i një koalicioni të gjerë rreth një kandidati të pavarur, i cili përfaqëson qytetin dhe vlerat e përbashkëta.

“Ne nuk jemi parti kryetar ku kryetari garon dhe merr gjithçka. Rruga ime kalon përmes parlamentit…Qasja që kam është se si të krijohen mekanizma që Tirana të mos humbet. Më 10 maj nuk ka më vlerë pendesa, njerëzve u duhet dhënë zgjedhje. Probabiliteti që të fitohet është duke qenë në një koalicion të madh në Tiranë për vlerat. E vetmja formulë që ne të tejkalojmë pengesën është një kandidat i qytetit i pavarur, kjo ka qenë qasja jonë…. Është dakordësuar një person, Florjan Binaj. Ne i qëndrojmë vendimit të marrë, qëndrojmë aty se e shohim si të vetmin mekanizim që zgjidhjet ky siklet. Për Tiranën po japim një zgjidhje, por mos na kërkoni ne të shkrijmë lëvizjen tonë, ne po tregojmë pjekuri politike. Po mundohemi ta çojmë në këtë drejtim, nuk duan atëherë të dalin në 10 maj ‘i përgjigjen qytetarëve”, tha më tej Lapaj.

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, u shpreh se opozita duhet të ulet në një tryezë pa vendosur kushte paraprake ndaj palëve të tjera, ndërsa propozoi edhe realizimin e një sondazhi në rast se nuk arrihet dakordësia për kandidatin.

Këlliçi theksoi se rrethanat politike kanë ndryshuar dhe se emri përfundimtar duhet të përcaktohet mbi bazën e mbështetjes që gëzon te qytetarët dhe mundësisë reale për të fituar Bashkinë e Tiranës.

Ai shtoi se kandidati duhet të vlerësohet në mënyrë të detajuar për profilin dhe mbështetjen që ka në elektorat, duke nënvizuar se vullneti i Partisë Demokratike është të bëjë maksimumin për të arritur një marrëveshje opozitare.

“Në momentin që do të shkojmë në një tryezë pa i vënë kushte asnjëra palë tjetrës…nëse nuk do ketë dakordësi, ofrojmë edhe sondazhin. Lapaj thotë i qëndroj vendimit në nëntor…Ne themi kanë ndryshuar rrethanat dhe themi do të vijmë me këtë alternativë. Pra janë parimet mbi të cilët në duhet të ulemi dhe të kemi vetëm një qëllim, kush është emri që bashkon më shumë vota dhe ka shanset më të mëdha për të fituar këtë pozicion, Bashkinë më të madhe në vend. Duhet të ketë një vlerësim shumë të detajuar në raport me profilin e kandidat. Vullneti ynë është për të bërë maksimumim”, tha nga ana e tij Belind Këlliçi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb