Dy persona janë arrestuar në flagrancë në kuadër të operacionit policor të koduar “Storm”, pasi u kapën duke transportuar 40.3 kilogramë kanabis, me qëllim shitjen në qytetin e Laçit. Në pranga kanë rënë një 25-vjeçar nga Malbardha e Kurbinit dhe një 36-vjeçar nga Fushë-Kruja, të identifikuar me inicialet H. M. dhe H. K.
Sipas Policisë, automjeti tip “Mitsubishi” me të cilin udhëtonin u ndalua për kontroll në rrugën e fshatit Selitë. Gjatë kontrollit, efektivët gjetën katër thasë me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale 40.3 kilogramë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se të arrestuarit e kishin siguruar drogën në fshatin Mafsheq, në Malësinë e Krujës, dhe po e transportonin drejt Laçit për ta shitur. Përveç lëndës narkotike, policia sekuestroi edhe një peshore manuale, automjetin dhe një celular. Dy të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.
