Kthimi i familjes fermere në një biznes të vogël ka qenë ideja e promovuar nga kryeministri Edi Rama gjatë takimeve me fermerë të fshatrave të Fierit. Ai tha se nuk duhet të presin që shkojë shteti tek ata por në bashkëpunim me bashkitë të bëjnë projekte që të përfitojnë subvencione. Programi për ujitjen dhe kullimin, Fondi Kombëtar i Garancisë, titujt e pronësisë të tokës bujqësore janë incentivat më të mëdha të qeverisë për rimëkëmbjen e fshatit dhe të bujqësisë.

Kryeministri Edi Rama i bashkëbisedoi me fermerë në Vajkal të Fierit. “Ujitja dhe kullimi është kushti më elementar, – nënvizoi Kryeministri, – për zhvillimin normal të bujqësisë, por i neglizhuar në mbi dy dekada”. Programi i ujitjes e kullimit është projekt prioritar që impaktin e tij do ta ketë që sezonin e ardhshëm bujqësor.

“Kemi bërë një punë kolosale në raport me mundësitë dhe në raport me të shkuarën. Deri në qershor të vitit të ardhshëm do kemi çuar ujin në çdo parcelë dhe do kemi rritur sipërfaqen e ujitur në 225 mijë hektarë,” – u shpreh Kryeministri, ndërsa siguroi se me reformën administrative-territoriale janë krijuar bashki më solide dhe me kapacitete më realiste për të përparuar me procesin e nisur të titujve të pronësisë.

Fondi i Garancisë Kombëtare u siguron fermerëve një linjë alternative financimi, por për të përfituar prej tij, Kryeministri i inkurajoi fermerët, me mbështetjen e bashkive, të hartojnë projekte të qarta e serioze investimi në prodhim, apo agropërpunim.

“Ne kemi krijuar një fond me paratë e shtetit, që quhet Fondi i Garancisë kombëtare për bujqësinë. Ky fond ka pikërisht rolin që të sigurojë kreditë që do të marrin fermerët dhe të zbusë maksimalisht interesat. Kemi krijuar një procedurë shumë të thjeshtë që nuk detyron fermerët të shkojnë te bankat, por ne bëjmë gjithë procesin e ndërmjetëm. Janë rreth 300 milion euro potencialisht që ne mund t’i thithim në këtë proces. Është një shifër e jashtëzakonshme. Ama, nëse ne nuk jemi aktivë dhe nuk bëjmë punën tonë, detyrën tonë si fermerë dhe si qeveri, ato mbeten aty dhe nuk i marrim dot, sepse duhet të kemi projekte të shkruara mirë dhe aplikime bindëse për bankat. Garancinë e vë shteti. Nuk keni nevojë ta vini ju. Pra nuk shkoni ju të thoni po vë shtëpinë e po vë para unë nga xhepi. Është një fond që nuk është vetëm për ata të mëdhenjtë, por është një fond edhe për ata që duan të rriten. Pra, ideja është si ta kthejmë familjen fermerë në një biznes të vogël. Është kyçe që Bashkia të hyjë në këtë proces që t’ju ndihmojë për të shkruar projektin, për të bërë gjithë pjesën tjetër. Mundësitë aty janë të mëdha, qoftë për sera, qoftë për pika grumbullimi, qoftë për linja përpunimi, të vogla, të mëdha, linja konservimi etj. Mjafton që të jetë projekti i duhur, i shpjeguar mirë. Fondi i Garancisë është një praktikë që të fillojnë njerëzit të kuptojnë që paratë janë, por nuk duhet pritur që t’i sjellë shteti tek dera dhe ti ta marrësh atë subvencionin e naftës, të mbushësh “Mercedesin” dhe të shkosh në Tiranë. Kështu, as banka, as Bashkimi Europian nuk të japin asnjë lek”, tha Rama.

Numri i pikave të grumbullimit në këto tre vite është rritur, tha Kryeministri, falë përfitimit nga skemat e mbështetjes së agro-përpunimit. Më e fundit është pika e grumbullimit, më e madhja në volum, që po ndërtohet në Lushnje. Fondi i Garancisë, u shpreh Kryeministri, është një mundësi e re për të investuar edhe në ngritjen e pikave të grumbullimit, duke i ftuar fermerët të bashkohen e të kërkojnë financim mbështetur në një projekt të qartë.

* * *
RAMA INSPEKTON PUNIMET NË RRUGËN “MUJO ULQINAKU”
Rruga “Mujo Ulqinaku”, në Fier një prej arterieve kryesore të qytetit, i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë të saj që pritet të përfundojë së shpejti. Është investim i qeverisë, nëpërmjet Fondit të Zhvillimit të rajoneve.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Fierit Armando Subashi, inspektoi ecurinë e punimeve për rrugën, përfundimi i të cilës do t’i japë qytetit më shumë frymëmarrje.
Aktualisht është në proces rehabilitimi i fasadave, si dhe vendosja e elementeve të mobilimit urban, që do i japin një tjetër dimension kësaj rruge. Për herë të parë infrastruktura rrugore gërshetohet me rikonceptim urban dhe mobilim urban bashkëkohor, duke e bërë këtë investim një model të standardeve europiane, që do të jetë për Fierin një model për t’u zbatuar në investimet e ardhshme në qytet.

***
INVESTIMI 33 MLN LEKË, “RILIND” SHKOLLA 9-VJEÇARE
Një tjetër shkollë në Fier, ajo 9-vjeçare “Andon Xoxa” është një nga institucionet arsimore të rilindura. Shkolla kishte “humbur” mes ndërtimeve të shumta dhe në mungesë të hapësirave të lira, terrenet sportive mungonin. Lirimi i hapësirave të zaptuara nga ndërtimet shumëvjeçare bëri të mundur që shkolla të ketë sot terrene sportive, jo vetëm për 1050 nxënësit e saj, por në shërbim edhe të komunitetit. Me investim 33 milionë lekë është bërë rikonstruksioni i godinës së shkollës dhe rikualifikimi i ambienteve të jashtme, është sistemuar oborri, është shtuar sipërfaqja e gjelbër dhe i është rikthyer sistemi i ndriçimit. Kjo shkollë është kthyer në një model të partneritetit të suksesshëm shkollë-familje-komunitet, duke transformuar konceptin e shkollës jo thjesht si një institucion i mësimdhënies, por edhe si qendër komunitare, ku sigurohet ndërveprimi me familjen dhe komunitetin.

***
RAMA ME MATURANTË NË FIER: ME SISITEMIN E RI FATIN TUAJ NUK E PËRCAKTON AS MIKU, AS PARTIA E AS LEKU
Kryeministri Edi Rama pati një bashkëbisedim me të tjerë maturantë në Fier, gjatë vizitës në shkollën e mesme “Janaq Kilica” të saporikonstruktuar në ambientet e brendshme e të jashtme të saj. Kryeministri i siguroi maturantët se sistemi i ri i aplikimit për studimet e larta garanton vlerësimin e meritës dhe të përpjekjeve të tyre gjatë viteve të shkollës së mesme.

“Matura Shtetërore duke u forcuar i ka dhënë mundësinë nxënësve më të mirë që të jenë më të vlerësuar në meritën e tyre. Edhe sistemi i ri i regjistrimeve në shkollën e lartë është garanci e plotë që fatin, secili e ka në dorën e vet, nuk e përcakton dot më as miku, as partia, as leku. Sistemi është i tillë që bën të pamundur çdo lloj interferencë të faktorëve të tjerë në një proces ku vlerësohet në mënyrë kompjuterike merita në bazë të rezultateve,” – u shpreh Kryeministri.

Sistemi i regjistrimit në shkollën e lartë plotësohet me reformën në arsimin e mesëm, që u heq detyrimin nxënësve për të përcaktuar lëndët me zgjedhje që në vitin e parë. Kjo do t’u japë mundësi atyre të jenë sa më të qartë në dëshirën dhe prirjet e tyre, përpara se të bëjnë zgjedhjen.

* * *
RIKUALIFIKIM URBAN NË ROSKOVEC
Hyrja e qytetit të Roskovecit tashmë është me një pamje të re. Është bërë rikualifikimi urban i të gjithë kësaj rruge, duke përfshirë ndriçimi, gjelbërimin, sistemin e kullimit, si dhe të gjithë parametrat e sigurisë rrugore. Kjo i jep një pamje tërësisht të re një qyteti që prej shumë vitesh ndjente mungesën e investimeve. Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet të cilat ende vazhdojnë. Veprat e artit janë pjesë gjithashtu e hyrjes së qytetit.

Unaza e re në qytetin e Roskovecit është një tjetër investim i rëndësishëm infrastrukturor, me vlerë rreth 87 milion lekë, ndërtimi i së cilës do t’i dhurojë komunitetit të zonës më shumë hapësira komunikimi, duke lehtësuar ndjeshëm trafikun.

Rruga është në formë unaze dhe fillon nga rruga nacionale Fier – Roskovec – Berat, kalon nëpër toka bujqësore, kryqëzohet me rrugën e Kurjanit dhe në vazhdim lidhet sërish me rrugën nacionale.
Ndërtimi i unazës ka impakt direkt në jetën e banorëve të zonës dhe të aktiviteteve private që zhvillojnë veprimtarinë tyre këtu, duke siguruar rrjedhshmëri trafiku. Në projekt është parashikuar që gjerësia e rrugëve të jetë e tillë që, në çdo rast, të lejojë parkim të paktën në një anë të saj.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit Majlinda Bufi, si dhe deputetë të zonës ishte në terren për të parë ecurinë e punimeve për Unazën, e cila tashmë do të jetë pjesë e rrugës nacionale interurbane Fier – Berat.

“Është një investim që i ka munguar gjithmonë qytetarëve të Roskovecit. Është hera e parë që Roskoveci bëhet me unazë dhe unë besoj që do të zgjidhë problemin e qarkullimit në qytet,” u shpreh kryebashkiakja Bufi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb