TIRANE- I titulluar “Të dialogosh me prani”, sezoni 2016 (3) në COD hapet me ekspozitën “Duke qëndruar pezull”, të kuruar nga Erzen Shkololli. Ekspozita ndërlidh veprat e artistëve Flaka Haliti, Laurent Mareschal, Nathan Coley, Peter Kogler dhe Vigan Nimani. Duke shfrytëzuar teknologjinë kompjuterike për krijimin e rikrijimin e një serie imazhesh grafike, artisti austriak Peter Kogler prezanton 6 vepra “Pa titull”, mundësuar nga bashkëpunimi i COD me Ambasadën Austriake. Në Forum projektohen 16 intervistat e artistit, duke e sjellë në disa dimensione procesin e tij krijues. Artisti skocez Nathan Coley prezanton veprën “Një vend përtej besimit”, krijuar në 2012.

E ekspozuar në të gjithë botën në trajta dhe versione të ndryshueshme, me fraza sociale dhe ekzistenciale, aktualiteti i saj është mbresëlënës. Flaka Haliti, artistja që në 2015 përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venecias, paraqet instalacionin “Duke qëndruar pezull”, një metaforë që e vë artistin përballë komercialitetit të botës që e rrethon. Instalacioni është prezantuar më herët në Berlin në 2014. Për shkak të thjeshtësisë së punimit, vepra reduktohet në titull dhe në formën e vet përfaqësuese estetike.

Në sallën “Tako Artistin”, në bashkëpunim me Ambasadën Franceze, COD prezanton instalacionin “Beiti”, të artistit francez Laurent Mareschal. Një vepër jo e zakontë, e punuar me erëza, përmes së cilës evokohen lidhjet shumështresore të Lindjes me Perëndimin. Në mjediset e tjera të Qendrës janë ekspozuar punimet minimaliste të Vigan Nimanit, frymëzuar nga mjediset moderne urbane, të zhveshura nga çdo dekoracion shtesë. Artisti kosovar sjell në COD mbresën e tij të përjetësisë metafizike, e shprehur në forma dhe marrëdhënie. Vetë Shkololli shprehet se “titulli i veprës së Flakës, Just Hanging Around, (Duke qëndruar pezull) është një kryefjalë e njëkohësisht, çelës për hapjen dhe dialogun me estetikën e artit bashkohor që, edhe në subjektet në dukje efemere, gjen farat dhe erëzat e sublimes”.

Erzen Shkololli është artist dhe kurator. Drejtor i Fondacionit “Unë e du Kosovën” në Prishtinë, Kosovë, si dhe këshilltar kuratorial për documenta 14. Nga viti 2011 deri më 2015, drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës. Në vitin 2013, Shkololli ishte komisioner i prezantimit të parë të Republikës së Kosovës në edicionin e 55-të të Bienales së Venecias. Nga viti 2003 deri më 2007 mbajti pozitën e drejtorit artistik në Institutin e Artit Bashkëkohor EXIT në Pejë, një iniciativë e shkëmbimit në Kosovë, e cila transformoi skenën vendase kulturore. Praktika e tij artistike përdor ritualet dhe folklorin vendas për të tërhequr vëmendjen te situata specifike socio-politike dhe është ekspozuar ndërkombëtarisht.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: