Renato Panajoti, babai i 18­vjeçarit Kristi Panajoti i cili rreth një javë më parë humbi jetën në Vlorë pasi makina me të cilën udhëtonte ra në një gropë, tregoi për herë të parë për dramën që ka tronditur jo vetëm familjen e tij, por të gjithë qytetin.

“Ishte shëtitja e fundit e djalit tim”, u shpreh ai i prekur, teksa rrëfente në “Pasdite në Top Channel” mbi ndodhitë e asaj nate.

Mes lotësh, në vendin e aksidentit, ai ka gjetur forcën për të rrëfyer se si mori vesh lajmin tragjik të jetës, si zbuloi që po tentonin zyrtarë të firmës të manipulonin ngjarjen përmes nipit të tij, si i shkroi vetë kryeministrit Rama dhe bisedën në telefon me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

I pyetur për deklaratën e vetëgjyqësisë që bëri në videon që rrëqethi rrjetet sociale, babai i 18­vjeçarit u shpreh se “Nuk e kam shpresën që përgjegjësi do të dalë para drejtësisë, ndaj unë nuk e lë me kaq. Do zgjedh rrugën më qytetare të mundshme”.

Ai tha se është thelbësore që Shoqëria Civile të bashkohet dhe të kërkojë të drejtën e saj, që shteti t’i mbrojë qytetarët e tij.

Si e morët vesh për aksidenti?
Që nga ajo ditë është hera e parë që vij sot në këtë vend. Atë ditë nuk isha në Vlorë, kam qenë larg, më kanë marr në telefon: “Hajde urgjent se djali është shumë sëmurë është në spital”. Nipi ishte me gjithë djalin, pas tyre makina me shokët e tyre, ishin nisur për një xhiro në darkë. Asgjë tjetër, po bënte shëtitjen e fundit… Në atë moment morën djalin e madh në telefon, “hajde se djali s’është mirë”, kur ka ardhur Filipo e ka gjetur pa ndjenja nuk reagonte fare, më pas më njoftoi nusja: “Eja shpejt, urgjent…”. Isha shumë larg, më mbylli telefonin, s’më la kohë as ta pyesja. Në ecje e sipër që nxitoja për të arritur bëj një telefonatë tjetër, marr nipin e pyes çfarë po ndodh, mendova djali ndonjë sëmundje, s’më shkonte në mendje që djali mund të më vdiste në aksident se edhe vetë jemi një familje që jemi marrë me makinat, unë, babai jemi rritur me hekurin me timonin, e kemi në gjak makinën dhe kjo është ajo që më vret më tepër. Nuk i besova edhe sot e kësaj dite nuk e besoj që ka vdekur në aksident, i kisha thënë të ecte me kujdes, ata fëmijë i kam marrë tërë kohës nga mbrapa, edhe në rrugët e botës, i njohin tabelat, rregullat. Në darkë, rreth orës 11 pa 20, unë kam ardhur në Vlorë në 1 e 15 e natës, gjëja e parë u kam thënë miqve të mi: “Më thoni si është e vërteta”? Në mëngjes, kur kam ardhur, e kam gjetur rrugën pa asnjë tabelë, absolutisht asnjë pengesë, vetëm një tabelë e mbuluar totalisht me baltë që thoshte ngushtim rruge e kalo këtej, ishte vendosur gabim dhe poshtë saj një tjetër 20 km në orë, që s’kishte shanse ta lexoje se ishte e mbuluar nga balta, komplet baltë, nuk dallohej.

Si qëndron e vërteta për presionet ndaj nipit tuaj?
Nuk kam shkuar në spital të shoh nipin se nuk kam forcë. Mesa më kanë thënë, në momentin që ka rënë në gropë, ka thënë vetëm dy llafe, ‘hop-hop’. Kaq. S’e dallon dot a është a jo kanal kur s’ke asnjë lloj pengese. Vetëm kur ranë brenda, e kuptuan me çfarë po përballeshin. Gjatë ngushëllimeve, mbas kurrizit tim bëheshin veprime nga më skandalozet, për shembull policia, persona të policisë shkuan te nipi dhe i thoshin të matnin pulsin dhe reagimin e tij që të bëhej palë me palën e ndërtimit të Lungomares se, këta persona s’janë të vetëm, është i gjithë shteti, zinxhiri.

Ju iu drejtuat kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm. Çfarë komunikuat me ta?
Në momentin që më thanë po manipulohen, ai kontraktori i Lungomares shkon në zyrat e policisë, i kam shkruar kryeministrit dhe më erdhi përgjigja nga Ministria e Brendshme. Me kryeministrin njihemi prej vitesh, jo personalisht, por kemi miqësi të hershme, m’u përgjigj menjëherë. Faleminderit atij dhe ministrit të Brendshëm, shumë faleminderit! Ministri më tha: ‘Renato si e ke hallin’? I tregova, me tha: ‘Mbylle e të them për 2 minuta’. Pastaj më mori, më tha: ‘Po, ke të drejtë, do merren masat përkatëse e do shkojnë të gjithë në burg, kush ka përgjegjësi. – Më tha edhe këtë – Më ke 24 orë në 24 në dispozicion brenda hapësirës që më lejon detyra e ministrit”. Ministri e çoi në gjykatë, por prokuroria nuk na shërben ashtu siç duhet të na shërbejë. Prokuroria nuk më ka thirrur. U ndjeva keq kur mora vesh që ai do hetohej në gjendje të lirë. Jo ra kjo provë, jo ajo, e në fund kurbani ngelet kurban dhe mbyllet gjithmonë me viktimën.

A do të harrohet vdekja e Kristit?
Kjo është një fatkeqësi e të gjithë shoqërisë. Në këtë rrugë nuk kalonte vetëm Kristi apo Petro, por e gjithë shoqëria dhe nuk reagon asnjë. Mund të kishte vdekur kushdo, ndaj them që nuk është vetëm djali im ai që ka humbur jetën, është djali i gjithë shoqërisë. Ky nuk quhet aksident por vrasje, vrasje nga pushtetarët, nga ky shtet që nuk na mbron. Kjo më vret më tepër!

Në këtë vend ka rrezikuar të aksidentohet edhe konsulli italian…
Kam marrë vesh, siç më kanë thënë miq e shokë, që edhe konsulli italian ka qenë gati duke rënë te kjo gropë. Është marrë masa, kishte ardhur një polic. Dikush tjetër më tha që kishte rënë edhe një me motor. Kjo gropë ishte hapur pasdite, vetëm pak orë më pas. Mënyra dhe reagimi i përfaqësuesve të firmës më ka revoltuar edhe më tepër. Në mënyrën më njerëzore mund të vinte të thoshte: “Unë jam shkaktari dhe mua më takon të shkoj para drejtësisë, drejtësia të bëjë të vetën e ti nga ana shpirtërore të më falësh”. Edhe njerëz jemi, unë s’kam gjë me të, po jo të bëjë ai allishverishe, siç dërgoi atë që t’i thoshte nipit tim. Kjo më vret më shumë akoma. Ai më kërkoi pas kësaj të më takojë, një Fatmir Merkaj, por tani nuk ka më vlerë. Kjo më vret më tepër. Kam pritur vetëm që nga shoqëria jonë të ngrihej që nga momenti që djali vdiq, nuk po kërkoj bukë, punë, kërkoja vetëm sigurinë, minimumi. Mos më hapë gropë të vdes. Duhej të ishin sensibilizuar të gjithë. Ministri i Transporteve duhet të japë dorëheqjen, kur shteti vret qytetarin e vet… As kryetari i bashkisë nuk erdhi te ngushëllimi, se ai është i pari. Asnjë lloj përgjegjësie. U mjaftuan që morën e futën një punëtor që merr 10 mijë lekë.

Ç’mund të na thoni për deklaratën tuaj “unë do t’i varros vetë përgjegjësit”?
Po, e kam thënë dhe e them… Në rast se ky shtet dhe kjo drejtësi që nuk është drejtësi, nuk funksionon… Unë nuk kam shpresa fare, po i lutem Zotit pas reagimit, se unë nuk e lë me kaq. Me aq fuqi sa kam, ne duhet të sensibilizohemi, të çohemi të gjithë për të mirën tonë, nuk po them të ndërrojmë pushtetet se s’më intereson politika, por jeta. Të jetë ky fëmijë i fundit kurban i kësaj vdekjeje, në këtë formë. Të na marrë Zoti, por jo shteti. Do mundohem me mish e shpirt që të mblidhemi të gjithë, të mundohemi të jetojmë. Të themi nuk bëhet? Po kush do na bëjë ne? Kush do i rrisë fëmijët tanë? Sa janë si puna e Kristit tim? Ç’a po kërkoni? Ç’a po bëni?

Cili është mesazhi juaj për 2 fëmijët e tjerë, bashkëshkorten dhe shoqërinë?
Filipos dhe Sofies i them të bëhen të fortë, të dalim aty në rrugë, të kërkojmë të drejtat tona. Bashkëshortja është akoma më e dobët, as e imagjinon dot si ta ngushëlloj. Ai ishte një djalë që falte dashuri, ai njeri nuk dinte të thoshte jo, mjafton t’i bëje një telefon, ishte i gatshëm për këdo, kishte shumë ëndrra dhe ia lanë përgjysmë. S’dua që siç ia lanë Kristit përgjysmë, t’ia lënë dikujt tjetër. S’dua të ndodhë më. Kam dëshirë që Kristi im të jetë shkëndija për një të ardhme akoma më të mirë! Marrë nga “Newsbomb.al”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb