NGA SENAD NIKSHIQI
SHKODËR- Ngricat që kanë përfshirë gjithë vendin kanë sjellë një fenomen të rrallë në Bashkinë e Shkodrës si dhe në disa prej njësive administrative të saj. Temperaturat e ulëta kanë ngrirë një pjesë të madhe të sipërfaqes së lumit Kir dhe disa pjesë të liqenit. Banorë të qytetit verior dje bënë me dije se një gjë e tillë ka ndodhur vetëm gjatë viteve ‘60 dhe në dimrin e vitit 1985.

“Unë kam shumë vite që jetoj këtu dhe prej disa dekadash nuk kam parë një situatë të tillë. I ftohti dhe temperaturat e ulëta kanë bërë që të ngrihet thuajse totalisht lumi Kir. Këtë dimër është përsëritur ajo që ka ndodhur në vitet ‘60-të si dhe në dimrin e vitit 1985″, thanë banorët e zonës.

Sipas tyre, sipërfaqja më e madhe e ngrirë deri tani është në afërsi të Urës së Mesit në njësinë administrative Postribë, ndërsa segmentet me ngrica të pjesshme janë të pranishme deri në qytet.
Ndërkaq, edhe disa pjesë të liqenit janë ngrirë këto ditë për shkak të temperaturave të ulëta. Nga sa është konstatuar, pjesët e ngrira janë në Zogaj, pjesën fundore e liqenit ku kufizohet me Malin e Zi.

Nga bregu gjatësia e pjesës së ngrirë nuk shkon më gjatë se 50 metër, ndërsa në disa vende edhe më pak. Edhe për liqenin, banorët pohuan se ka mbi 30 vite që nuk e kanë parë të ngrirë. I ftohti siberik ka pasuar me bllokimin e punës së peshkatarëve. Me dhjetëra varka në Liqenin e Shkodrës, në zonën në Shirokë-Zogaj nuk kanë mundur që të lëvizin ashtu si çdo ditë në përditshmërinë e tyre. Ngricat kanë bërë që varkat të qëndrojnë në breg të liqenit.

“Temperaturat e ulëta na kanë detyruar që të mos dalim në liqen për të gjuajtur peshk. Kjo na dëmton nga ana ekonomike, sepse ne nuk kemi mundësi të tjera për të siguruar jetesën dhe mbahemi vetëm me anë të peshkimit. Shpresojmë që të rriten pak temperaturat, në mënyrë që t’i rikthehemi punës”, deklaruan peshkatarët.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb