Në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të aktorit të madh Kadri Roshi, sot Teatri Kombëtar do të shfaqë një dokumentar kushtuar jetës së tij. Kadri Roshi, aktori i madh i Teatrit dhe kinematografisë, u nda nga jeta 10 vjet më parë duke lënë pas një jetë të pasur me shumë karaktere e personazhe.
Ai lindi në 4 Janar të vitit 1924, në Ballsh të Mallakastrës, i mbetur jetim në një moshë të vogël, ai endet për të siguruar jetesën duke punuar si punëtor mirëmbajtje, biletashitës në kinema, e punë të tjera të ndryshme.
Emri i tij mungoi dy herë radhazi në listën e fituesve për aktor, dy konkurrime në të cilat ai u përplas me disfatat e para.
Në rolin e Osipit tek “Revizori” i Gogolit, Kadri Roshi pati një sukses të jashtëzakonshëm, me këtë shfaqje e gjithë trupa e aktorëve amatorë u pranuan si aktorë në Teatrin Popullor.
Fillon studimet si aktor në Zagreb të Kroacisë, por menjëherë pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, Kadri Roshi, vazhdon dhe përfundon studimet në 1950 në Pragë të Çekisë, me rezultat të “Shkëlqyer”.
Rolet e tij si në teatër dhe kinematografi kanë lënë mbresa te artdashësit. Me rreth 215 role Kadriu Roshi do të mbahet mend në: “Tana”, “Furtuna“, “Skenderbeu“, “Hamleti“, “Orët e Kremlinit“, “I cuditshmi“, “Familja e Peshkatarit“, “Zonja e Bujtinës“, “Arturo Ui“, “Fytyra e dytë“, “I teti në Bronx“, “Besa e Madhe“, “Hijet e natës“, “Malet me blerim mbuluar“, “Fijet që priten“, “Apasionata”, “Njeriu me top“, “Epoka para gjyqit“, “Lulekuqet mbi mure“, “Lidhur si fishkë gjerdani“, “Tokë e ndezur”, ”Shkallët“, “Kolonel Bunker“, si dhe “Kohë e çmendur“ në rolin e Xha Fiqos, i cili do të ishte dhe roli i tij i fundit.
Dokumentari do shfaqet ne sallën e Teatrit Kombëtar ora 19:00.
(el.sp/BalkanWeb)
