TIRANE- Përfaqsues të Bankës së Shqipërisë kanë zhvilluar gjatë ditës së sotme një takim me Bordin Drejtues të Shoqatës Shqiptare të Bankave. Takimi u organizua me nismën dhe nën drejtimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, ndërsa në fokus të takimit ishte diskutimi mbi sigurinë e zhvillimit të bankave në Shqipëri.
Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte intensifikimi i dialogut dhe bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë, Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe bankave tregtare që operojnë në Shqipëri, për çështje të lidhura veçanërisht me sigurinë e zhvillimit të aktivitetit bankar, nisur edhe nga ngjarjet e ndodhura së fundmi gjatë transportimit të vlerave monetare, si dhe për të diskutuar mbi aktivitetin financiar, kreditues dhe operacional të sistemit bankar.

Të pranishëm ishin gjithashtu Zëvëndësguvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë zj. Natasha Ahmetaj dhe drejtues të tjerë të Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Bordit Drejtues të SHSHB-së dhe Drejtor i Përgjithshëm i Alpha Bank Albania, z. Periklis Drougkas, anëtarët e tjerë të këtij Bordi, si dhe z. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i SHSHB-së.

Në fillim të takimit, nga të gjithë pranishmit u përgëzua zbardhja e autorëve të grabitjes së vlerave monetare të bankave dhe puna intensive e kryer nga Policia e Shtetit në këtë drejtim. Më tej, u diskutua për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis bankave dhe institucioneve përkatëse për rishikimin e masave të sigurisë në aktivitetin bankar dhe transportimin e vlerave monetare me qëllim plotësimin dhe përmirësimin të tyre, për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.

Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu mbi rritjen e përpjekjeve të koordinuara dhe të ndërveprimit institucional në kuadër të nxitjes së kreditimit të ekonomisë, përmes identifikimit të investimeve potenciale të shëndetshme, me synim përshpejtimin e aktivitetit ekonomik të vendit dhe rritjes së kontributit të bankave në të.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko u ndal edhe në çështjen e trajtimit të kredive me probleme, duke vlerësuar se efektet e ndryshimeve ligjore, përvoja e fituar nga bankat, nxjerrja e kredive të humbura jashtë bilanceve të bankave dhe ristrukturimi i kredive me probleme, do të nxisnin një ulje graduale dhe të qëndrueshme të nivelit të tyre gjatë vitit 2017.

Gjithashtu, rëndësi e veçantë iu kushtua edukimit financiar për ndërgjegjësimin e publikut, si dhe ruajtjes së imazhit të sistemit bankar, duke theksuar ndikimin e bankave si në sistemin financiar ashtu dhe në ekonominë e vendit.

Në përfundim, Shoqata Shqiptare e Bankave falënderoi Bankën e Shqipërisë për këtë takim mjaft pozitiv dhe frytdhënës. Shoqata siguroi se do të vazhdojë të ketë një bashkëpunim maksimal me Bankën e Shqipërisë dhe me autoritetet qendrore dhe vendore për një sektor bankar sa më të shëndetshëm dhe mbështetës të zhvillimit ekonomik të vendit.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb