Nga DARINA TANUSHI*

Kryeministri Edi Rama porositi dje deputetët socialistë që të ulin pakënaqësitë në zonat që ata mbulojnë, para zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. Në një takim me ligjvënësit e PS-së të qarqeve Vlorë, Durrës, Gjirokastër, Fier e Berat, kryeministri Rama mësohet se kërkoi prej tyre më shumë angazhim në këto zgjedhje. Sipas burimeve për “Gazeta Shqiptare”, një pikë themelore e takimit ishte kërkesa për bashkëpunim të ngushtë në koalicion, veçanërisht me LSI-në. “LSI ka votat e saj, ndaj duhet patjetër të bashkëpunojmë”, – mësohet të jetë shprehur Rama, në këtë takim. Fillimisht, kryeministri takoi deputetë të qarqeve të Vlorës, Durrësit e Gjirokastrës, ndërsa pasdite priti ata të Beratit dhe të Fierit. Në të dyja takimet ishte i pranishëm edhe kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi dhe ministrat ish-deputetë, sipas qarqeve përkatëse.

Burimet thanë për “GSH” se në takim nuk u fol për emra konkretë kandidatësh, vetëm se u është kërkuar deputetëve që nëse kanë ndonjë propozim, ta bëjnë atë konfidencialisht. Po kështu, nga kryeministri Rama është kërkuar që të bëhen edhe sondazhe sekrete në bazë për emra të caktuar, për të parë se sa është mbështetja për secilin emër të propozuar. Një tjetër burim nga mbledhja bëri të ditur për “GSH” se kryeministri Rama është shprehur i hapur edhe për aleanca me parti të tjera jashtë koalicionit qeverisës. Konkretisht ai ka informuar se i është bërë një ofertë bashkëpunimi PDIU-së së Shpëtim Idrizit por se ende nuk ka marrë një përgjigje. Mandej Rama e ka vënë theksin më shumë te minimizimi i pakënaqësive, që mund të krijohen për shkak të mbështetjes që PS do t’u japë kandidatëve të LSI-së në disa raste.

Vëmendje, sipas Ramës i duhet kushtuar asaj pjese të elektoratit që mund të mos votojë kundër, por që nuk shkon të votojë. Deputetëve nuk do t’u ndryshojnë zonat e mbulimit, pavarësisht reformës së re administrative e territoriale. Në një nga mbledhjet e fundit të grupit, nga ana e deputetëve të PS-së, veçanërisht nga Ben Blushi dhe Arta Dade pati ankesa se deputetët nuk po pyeten për caktimin e kandidatëve në këto zgjedhje vendore. Por, të kontaktuar nga “GSH”, deputetë të ndryshëm deklaruan dje pa dashur të citohen se këto takime në fakt duken “të sajuara” pikërisht pas këtyre kritikave, pasi tashmë kandidatët janë vendosur në negociata që Rama ka realizuar me kreun e LSI-së, Ilir Meta.

NEGOCIATAT

Ndërkohë, kryeministri Rama dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta nuk i kanë ndaluar negociatat mes tyre për caktimin e ndarjes së bashkive kryesore në vend. Mësohet se Bashkia e Tiranës, bashkia më e madhe e vendit do t’i përkasë një kandidati nga PS, por ende nuk dihet emri i kandidatit, për të cilin të dyja partitë e koalicionit të maxhorancës janë të një mendjeje që duhet të jetë një menaxher i mirë, se sa një politikan. Në Durrës, Vlorë, Shkodër, Fier, Elbasan, Korçë etj., pritet që PS të vendosë kandidatët e saj, duke i lënë LSI-së kandidatët e Lezhës, Kukësit, Pogradecit, etj.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb