TIRANE- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas qëndrimit të shprehur nga kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, për zgjedhjet vendore që do të mbahen në Kavajë. Presidenti Nishani dekretoi datën 7 maj për mbajtjen e zgjedhjeve për kreun e ri të kësaj bashkisë, pas heqjes së mandatit të Elvis Rroshit në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.
Paloka thotë se Kreu i Shtetit zbatoi detyrimin kushtetues, por shton se nuk do të ketë zgjedhje me Ramën dhe kriminelët e tij.
“Në Kavajë apo në çdo zonë tjetër nuk do ketë zgjedhje me Ramën dhe kriminelët. Vendimi ynë është i parevokueshëm. Zgjedhje pa qeveri teknike nuk do të këtë”, ka thënë Paloka.
Por pas këtij qëndrimi ka reaguar kryeministri Rama. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, kreu i Qeverisë thotë se zgjedhjet do të bëhen, pavarësisht qëndrimit të PD.
“PD nuk hyn ne zgjedhje në Kavajë? Keqardhje për PD po kriza e saj s’është e s’do bëhet kriza e vendit! Zgjedhjet do bëhen Drejtësia do bëhet?”, shkruan Rama.
(el.sp/BalkanWeb)