FIFA ka dënuar Shqipërinë me një gjobë prej 100 mijë frangash zvicerane për incidentet e shkaktuar në Itali gjatë ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës.
Tifozët shqiptarë në ndeshjen kundër “axurrëve” bënë një figurë shumë të keqe duke ndërprerë edhe takimin pasi hodhën sende të forta në fushë.
Fatmirësisht FIFA ka vendosur që Shqipëria të dënohet vetëm me gjobë, duke shmangur kësisoj dënimin e fushës apo zhvillimin e ndeshjeve jashtë pa praninë e tifozëve.
Por pse FIFA nuk e dënoi Shqipërinë me zhvillimin e ndeshjeve pa praninë e tifozëve?
Kjo sepse kombëtarja jonë në Palermo nuk ishte pritëse por udhëtuese dhe si pasojë Federata Italiane kishte përgjegjësinë për kontrollin e tifozëve dhe moslejimin e fishekzjarrëve brenda stadiumit. Për këtë arsye, edhe Federata Italiane është dënuar me një gjobë prej 15 mijë frangash pasi klasifikohet shkelje lejimi i ndezjes së fishekzjarrëve nga tifozët, ndonëse ata ishin shqiptarë.
Ndërkaq, FSHF ka marrë edhe një gjobë tjetër prej 5 mijë frangash zvicerane për shkak të sjelljes së papërshtatshme të skuadrës.
Po të llogariten gjobat e marra që në ndeshjen e parë të luajtur në eliminatoret e Botërorit 2018, deri tani, Federata Shqiptare e Futbollit i detyrohet 215 mijë franga FIFA-s dhe vetëm një shifër prej 5 mijë frangash nuk ka të bëjë me sjelljet e tifozëve.
(e.k/BalkanWeb)