TIRANE- Një ditë pas takimit me zyrtarin e DASH, Hoyt Yee, kreu i opozitës Lulzim Basha ka mbledhur aleatët në selinë blu. Në këtë takim 50 minutësh, Basha ka informuar aleatët mbi diskutimet e bëra një ditë më parë dhe propozimin e bërë nga zyrtari amerikan.

Pas takimit të sotëm me aleatët parlamentarë e më pas me ish-kreun e PD, Sali Berisha në zyrën e këtij të fundit, Basha pritet të japë një përgjigje për ofertën e Yee

Pas takimeve një ditë më parë me zv/ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit Hoyt Brian Yee, kreu i opozitës dhe ai i mazhorancës pritet që të të rinisin takimet mes tyre.

Mendohet se një gjë e tillë është kërkuar nga Hoyt Yee në takimin e zhvilluar me kryedemokratin Lulzim Basha. Burime për “BalkanWeb” bëjnë me dije se PD është e gatshme të pranojë paketën “McAllister” për zgjidhjen e krizës, dhe Yee i ka dhënë një afat të kushtëzuar Partisë Demokratike.

Thirrjet e vazhdueshme të ndërkombëtarëve janë që opozita të marrë pjesë në zgjedhje dhe të heqë dorë nga vendimi për bojkot.

Zyrtari amerikan deklaroi pas takimeve me Ramën e më pas me Bashën se “Ekziston tashmë një propozim që u paraqit, u ofrua nga anëtarët e Parlamentit Europian, z. Fleckenstein dhe z. McAllister. Siç e dini, ne e mbështesim atë. Mendojmë se është një propozim i ndershëm dhe shpresojmë që partitë do ta pranojnë si mjet për të arritur një marrëveshje për të mundur që të marrin pjesë në zgjedhje”.

Oferta në tavolinë tashmë vlen për Bashën, po ashtu edhe për Ramën, i cili në negociatat e fundit me kryedemokratin në prani të Nishanit, ofroi shumë më pak se paketa McAllister, duke akuzuar PD se nuk e fitoi shansin në kohën e duhur.

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD-së Basha kanë zhvilluar dy takime kokë më kokë në prani të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, por nuk kanë mundur të arrijnë në një marrëveshje.

ÇFARË PARASHIKON PAKETA MCALLISTER
1. Procesi zgjedhor të shtyhet për në datën 16 korrik.
2. Zëvendësimi i katër ministrave kyç të qeverisë, me persona teknikë të propozuar nga Kryeministri dhe të aprovuar nga opozita.
3. Paketë për zgjedhjen me konsensus të Presidentit të Republikës dhe Avokatit të Popullit.
4. Kalimi i kreut të KQZ­së tek opozita, por shumicën në institucion do të vazhdojë ta mbajë maxhoranca.
5. Dakordësimi për një tryezë të rrumbullakët të OSBE­së, pjesëmarrje të OJQ­ve në të gjithë këtë proces.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb