TIRANË- Nënkryetari i Komisionit parlamentar të ligjeve, Oerd Bylykbashi deklaroi sot pas shtyrjes së mbledhjes së Komisionit për dekriminalizimin se vullneti i maxhorancës është në pikëpyetje për sa i përket këtij procesi. Ai tha se opozita është e vendosur për të ecur përpara dhe se nuk mund të ketë zgjedhje të 21 qershorit pa përmbylljen e procesit të dekriminalizimit.

“Sot kishim planifikuar mbledhjen e Komisionit për Dekriminalizimin. U detyruam ta shtyjmë për nesër me një kërkesë të z. Balla, nënkryetar i Komisionit, për arsye të tij personale. Por mesa shoh sot, z. Balla, për fat të keq ka bërë deklarime duke qenë në funksion dhe në detyrë, pavarësisht justifikimeve të tij. Ka bërë deklarime të cilat në fakt ngrenë edhe njëherë pikëpyetje në lidhje me vullnetin e mazhorancës për të vazhduar me hap të sigurt në këtë proces. Nuk mund të ketë asnjë justifikim apo alibi për shtyrje. Nesër do të jetë mbledhja e Komisionit, siç është rënë dakord, dhe nesër opozita do të bëjë propozimet e saj konkrete me amendamente konkrete për procesin e dekriminalizimit”, tha Bylykbashi.

Ai u shpreh se PD është e gatshme të marrë të gjithë ekspertizën, por sipas tij platforma e bërë publike tashmë është e bazuar në eksperiencën më të mirë evropiane.

“Uroj që kjo e sotmja e z Balla të mos jetë pjesë e taktikave të deritanishme për zvarritjen e procesit. Një gjë është e sigurt, ne do të ecim me hap të vendosur dhe nuk mund të ketë zgjedhje të 21 Qershorit pa përmbylljen e procesit të dekriminalizimit. Nëse z. Balla ka vullnet duhet të na bashkohet pa asnjë hezitim. Ne jemi të gatshëm të marrim të gjithë ekspertizën por jemi të bazuar në eksperiencën më të mirë europiane dhe ndërkombëtare. E për rrjedhojë, çdo përpjekje tjetër si ajo e derisotme bashkë me shtyrjen e sotme, nuk ka për ta ndaluar këtë proces edhe sikur e gjithë kjo të jetë shenjë e dukshme e frikës së e z Rama për të bërë dekriminalizimin”, tha deputeti i PD-së.

I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse maxhoranca nuk miraton propozimet e opozitës, Bylykbashi tha se për këtë gjë ekziston një marrëveshje dhe nëse maxhoranca nuk e respekton është problem i tyre përballë shqiptarëve.

“Unë besoj se kjo nuk është aspak çështje numrash. Ata kanë bërë një marrëveshje me ne më 24 Dhjetor për dekrimininalizmin e Parlamentit dhe administratës. Nëse nuk e respektojnë është problem shumë i madh i tyre përballë shqiptarëve. Ajo që ne kemi marrë angazhim dhe jemi të vendosur si opozitë është që të ecim pa asnjë mëdyshje në këtë drejtim. Jam i sigurt që po të kërkojnë pak brenda vetes nuk kanë për të gjetur asnjë motiv për të kundërshtuar propozimet e opozitës”, tha Bylykbashi.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb