TIRANE-LGBTI ka sulmuar disa parti kryesore në vend, që sipas tyre nuk kanë përfshirë në programin e tyre këtë komunitet.

Konkretisht, LGBTI ka monitoruar programin e Partisë Demokratike, PDIU-së, PR-së dhe PBDKSH, ndërsa është vërejtur se programi i këtyre forcave mbart qëndrime negative dhe diskriminon këtë komunitet.

NJOFTIMI I LGBTI
Gjatë monitorimit të programit të këtyre partive vihet re mungesa e politikave për përfshirjen e komunitetit LGBTI si edhe qëndrimeve negative dhe alogjike si rastet e PDIU dhe Partisë Republikane. PR i klasifikon bashkëjetesat mes së njëjtës gjini si “kërcënim serioz i importuar nga vendet e tjera”. Madje vazhdon më tej duke mbrojtur martesën tradicionale me disa argumente të bazuara në hamendësime si “Fëmijët që rriten në familje të martuara kanë më shumë gjasa për të studiuar në universitete, janë fizikisht dhe emocionalisht më të shëndetshëm, kanë më pak të ngjarë të përdorin drogë ose alkool, të angazhohen në krim, ose të kenë shtatzëni jashtë martesës”. PDIU përmend si arritje të saj mbështetjen në mënyrë të pakufizuar për “Ligjin Kundër Diskriminimit”, por në objektivat e saj e përjashton ndalimin e diskriminimit për shkak të orientimit seksual.

Programi i Partisë Demokratike
Partia Demokratike në rubrikën “Qëndrimet” të publikuar në faqen e saj zyrtare, përmend disa herë të drejtat e njeriut, por nuk flet specifikisht për çështjet LGBTI. Për shembull në faqen “Siguria dhe Liria” thuhet: “Të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit, i cili duhet të jetë i bazuar në respekt të të drejtave themelore dhe të patjetërsueshme të individit, sipas Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut të vitit 1948, të Konventës Evropiane të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut të vitit 1950 si dhe Traktatit e Lisbonës të të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian të vitit 2009”. Në qëndrimet e Partisë Demokratike për Arsimin dhe Shëndetësinë flitet për konkurrencë të ndershme dhe të barabartë mes arsimit publik dhe atij privat, meritokraci në punësim dhe integrim të çdo individi në shoqëri dhe punë por nuk përmendet specifikisht dhënia e shanseve të barabarta për komunitetet e margjinalizuara dhe as konkretisht për LGBTI. Në qëndrimet e PD mbi familjen vihen re nota të heteronormativitetit, ku qartësisht nënkuptohet mbështetja vetëm për familjet heteroseksuale.

Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet është pjesë e koalicionit të majtë në Kuvendin e Shqipërisë, ku përfaqësohet me 4 mandate. Faqja zyrtare e PDIU është e përditësuar me informacione dhe e pajisur me një sesion mbi programin elektoral. Në programin e fundit zgjedhor që gjendet në faqen e PDIU, ka një pjesë dedikuar të drejtave të njeriut. Ndër arritjet e PDIU në këtë aspekt përmendet “Mbështetje e pakufizuar për ligjin “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi” si një fuqi e re në legjislacionin shqiptar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Por “Qëllimet” që PDIU ka për të drejtat e njeriut, pasqyrojnë vetëm pjesërisht Nenin 1 të ligjit “Për Mbrojtjen nga Diskriminim”. PDIU përmend: “Ndalimin e çdo lloj diskriminimi pavarësisht nga origjina, raca, seksi, gjuha, bindjet politike, arsimi, profesioni apo gjendja shoqërore”, duke mos përmendur ndalimin e diskriminimit për shkak të identitetit gjinor dhe orientimit seksual.

Programi i Partisë Republikane
Partia Republikane është një parti konservatore e spektrit të djathtë e cila aktualisht ka tre mandate në Kuvendin e Shqipërisë. Në faqen zyrtare të Partisë Republikane janë publikuar qëndrimet e saj për 4 çështje kryesore, një prej të cilave mban titullin “Atdheu, Familja, Prona”, të cilat PR i quan shtyllat e identitetit republikan. Kjo parti nuk e përmend diskriminimin për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor, as në sesionin “Ndërtimi i një Qeverie Kushtetuese të Programit të PR” ku flitet për luftën kundër diskriminimit, “Ne republikanët, e konsiderojnë diskriminimin në bazë të gjinisë, racës, moshës, fesë, besimit, paaftësisë, ose origjinës kombëtare të papranueshëm dhe imoral”, thuhet në program.

Partia Republikane i klasifikon bashkëjetesat mes së njëjtës gjini si “kërcënim serioz i importuar nga vendet e tjera”. Madje vazhdon më tej duke mbrojtur martesën tradicionale me disa argumente të bazuara në hamendësime. “Fëmijët që rriten në familje të martuara kanë më shumë gjasa për të studiuar në universitete, janë fizikisht dhe emocionalisht më të shëndetshëm, kanë më pak të ngjarë të përdorin drogë ose alkool, të angazhohen në krim, ose të kenë shtatzëni jashtë martesës”, thuhet në programin e PR. E njohur edhe më parë për qëndrime negative alogjike ndaj homoseksualizmit, Partia Republikane ka kërkuar më parë kriminalizimin e homoseksualizmit dhe e ka quajtur atë një formë drogimi, “Të ndalohet me ligj homoseksualizmi si përmbysje e senseve të natyrës njerëzore dhe i çdo propagande në favor të përhapjes se drogimeve të ndryshme”.

Programi i Partisë Bashkimi Demokristian Shqiptar
Kjo parti përfaqësohet në Parlament me një mandat, atë të kryetarit të saj Eduart Ndocaj. Në mungesë të informacioneve rreth statutit apo programit të kësaj partie, i vetmi informacion rreth qëndrimeve të saj ndaj çështjeve me rendësi për komunitetin LGBT janë deklaratat publike të kryetarit Ndocaj. Gjatë një interviste për emisionin “Të paekspozuarit”, ai ka shprehur me krenari qëndrimin e tij si demokristian kundër komunitetit LGBT duke vazhduar më tej me një fyerje të qartë, ku krahason LGBT me një targë makine.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: