VLORE- Vëllai i biznesmenit Bukurosh Malaj, Milto Malaj ka mohuar kategorikisht se 46-vjeçari ka ndërruar jetë pas një aksidenti automobilistik, ndërsa thekson se ai është vrarë.

Malajt tha për “News24” se mjeti që ishte në pronësi të vëllait të tij nuk është aksidentuar, pasi sipas tij nuk ka pasur asnjë lloj shenje. Mes të tjerash ai ngre edhe një pyetje që përforcon edhe më shumë dyshimet e tij se vëllain ia kanë vrarë, duke shtuar se Bukuroshi ishte shofer, andaj pse duhej të ishte gjetur në vendin e pasagjerit.

Intervista e plotë

“S’ka se si të jetë aksident, pasi makina nuk është e aksidentuar. S’ka asnjë shenjë goditje, vëlla im s’ka si të ishte në vendin e pasagjerit se s’ka se si, ishte shofer i vjetër. Unë them e kanë vrarë. Jo i aksidentuar. Është vrarë pas koke dhe s’ka se si të jetë ashtu shenjë në krahun e majtë. Po të ishte siç thotë policia, Roshi do ishte vrarë në krahun e djathtë. Roshin e kam mësuar unë dhe është shofer profesionist.”, pohoi vëllai i viktimës.

Milto Malaj tha se vëllai i tij kishte marrë shumë kërcënime dhe se një vit më parë kishin tentuar ta vrisnin. Mes misterit dhe dyshimeve për vdekjen e vëllait të tij, Milto Malaj nuk nguron të akuzojë edhe policinë e Vlorës se kjo e fundit po fsheh të vërtetën.

“Ka pasur shumë kërcënime kohët e fundit nga shumë njerëz dhe policia e di shumë mirë. Para një viti donin ta vrisnin dhe i morën makinën. Qe fatit i tij. Po policia pse se gjeti autorin? Pse se nxori? Kush e vodhi? Kush e dogji makinën? Të dalin të vërtetat, mos të fshinë gjurmët. Policia duhet të gjejë se kush ma vrau vëllain. Kërkoj nga policia e Vlorës që të zbardhet krimi, kërkoj gjakun e vëllait. Duhet të gjendet sa më shpejt kush e ka bërë dhe të heq atë dokument që ka bërë se është turp për Policinë e Vlorës. Vrasjet në Vlorë, asnjëherë nuk zbardhen”, shtoi ai.

NGJARJA
46-vjeçari ndërroi jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, katër ditë pas aksidentit rrugor të ndodhur në aksin Vlorë-Mifol, të premten e kaluar. Policia, pas aksidentit, arrestoi në flagrancë shtetasen me iniciale A.S., e dyshuar si shkaktare e aksidentit me pasojë vdekjen e tij.
21-vjeçarja, sipas Policisë, në momentin e ngjarjes dyshohet se po drejtonte automjetin e markës “Mercedes Benz”, model E 310 D, me targa AA 184 CE, me dokumente të rregullta, pa patentë, ndërsa i ulur si pasagjer në makinë ndodhej dhe biznesmeni Malaj.

Në momentin e parë të shoqërimit në polici, vajza ka deklaruar se Malaj ishte përplasur nga një kamion në çastin që kishte nxjerrë kokën nga automjeti në ecje e sipër. Por, sipas të dhënave të Policisë, dyshohet se përplasja fatale ka ardhur gjatë kohës kur Malaj me makinën e tij po i mësonte drejtimin e automjetit 21- vjeçares A.S.

Kjo e fundit në një moment të caktuar dyshohet se ka humbur kontrollin e makinës duke u përplasur me një automjet tjetër. Për pasojë, 46-vjeçari mori plagë të rënda në kokë dhe u transportua me urgjencë për në spital. Po ashtu dyshohet se biznesmeni Malaj kishte lidhje intime me vajzën dhe se gjatë deklarimeve të saj në Komisariatin e Policisë në Vlorë, ajo është përpjekur që të fshehë të vërtetën mbi ngjarjen, për t’iu shmangur më pas përgjegjësive penale që do të rëndonin mbi të.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: