TIRANË- Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka përsëritur akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe Kreut të Kuvendit Ilir Meta se po shkelin me këmbë dekriminalizimin. Madje Basha i ka quajtur Ramën e Metën, autorë të kriminalizimit. Deklaratat e numrit një të selisë blu, janë bërë në nisje të mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike ku Basha gjithashtu i ka bërë thirrje maxhorancës të mos provojë të prekë zgjedhjet e 21 qershorit.

“A është i lirë Edi Rama tu japë duart individëve me rekorde kriminale, të mos i kandidojë më, të mos u japë mbrojtje përballë policisë, gjykatave? Për ne si opozitë nuk ka as enigma e as të reja. Meta dhe Rama janë autorët e kriminalizimit. Kriminalizimi i ngritur në sistem e vetmja vepër e tyre. Dyshja Rama-Meta po shkel me këmbë dekriminalizimin. Akuzat për vrasjen e dy deputetëve nga Meta janë rikthyer në skenë. Ka pasur vetëm një inskenim në këtë histori për të fshirë nga faqja e dheut të vërtetën e porositjes për vrasjen e dy deputetëve. Afrimi i zgjedhjeve vendore, përzgjedhja e kandidatëve për kryetar bashkie po nxjerrin në pah kush nuk ka asnjë kompromis me krimin, PD-­ja dhe kush po tallet me dekriminalizimin, dyshja Rama- Meta. Rama ka caktuar si kandidat për kryetar bashkie në Krujën e Gjergj Kastriotit, Artur Bushin, i akuzuar për trafik droge në Itali dhe Holandë”, u shpreh Basha.

Sipa tij “Nga shkolla e trafiqeve ka ardhur Bushi i Krujës dhe Roshi i Kavajës”. “Si është e mundur të kandidojë trafikant dhe anëtarë të krimit të organizuar? Është e mundur sepse bushët dhe roshët janë vetë Rama, janë kupola e vërtetë e PS­-së. Shqiptarët presin me besim të madh një reagim historik të elektoratit të majtë kundër Ramës dhe Metës. Ata llogarisin të vjedhin dhe të blejnë votat. Ky është plani i tyre. E vunë në zbatim në zgjedhjet e 2013, duan ta shtrijnë akoma më gjerë në zgjedhjet e 21 qershorit. Dua ti paralajmëroj sot: I keni rënë në qafë shqiptarëve, i keni gënjyer sa u ka dashur qejfi. Jeni në borxh të madh para shqiptarëve, por mos tu shkojë mendja tu prekni votën. Mos provoni të vidhni dhe të blini votat se iu pret fundi më i keq”, deklaroi Basha.

Kreu i PD-së tha se opozita do ta fitojë betejë për dekriminalizimin dhe se zgjedhësit shqiptarë do ta flakin ofertën e krimit të organizuar.

“Do ti kthehemi çdo ditë kësaj teme madhore për fatin e demokracisë. Jemi në këmbë dhe do ta fitojmë betejën për dekriminalizimin. Aleanca jonë është aleanca për dekriminalizminin. Ora e qytetarëve po afron. Zgjedhësit shqiptarë do të flakin ofertën e krimit të organizuar. Shqipëria është e qytetarëve”, tha kreu i demokratëve.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: