TIRANE- Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, është kundër idesë së krijimit të fraksioneve në parti. Ai thotë se lëvizje të tilla janë të dëmshme për partinë, por thekson se janë të mirëpritura idetë dhe platformat që synojnë ringritjen e partisë, apo japin ide për ta sjellë atë në pushtet.

Në emisionin “Kjo javë” me gazetaren Nisida Tufa në “News24”, deputeti demokrat ndalet tek zhvillimet në mbledhjen më të fundit të Kryesisë së PD, ku pati edhe debate të forta.

Duke e cilësuar atë si një nga mbledhje më të shëndetshme dhe më të mira të PD, Paloka tha se aty nuk pati fraksione, por debat me ide të reja.

Ai shton se Basha u shtriu dorën edhe kritikëve duke i ftuar të japin ide në funksion të qëllimit të përbashkët të PD, fuqizimit të partisë, dhe luftën ndaj fenomeneve që dëmtojnë vendin, si dhe për t’u bërë kundër kundërshtarit të vetëm që sipas tij është aleanca e krimit e Edi Ramës.

Astrit Patozi ishte i pari që hodhi idenë e krijimit të fraksioneve brenda Partisë Demokratike, ndërkohë ai gjeti mbështetjen edhe të grupit që kërkon largimin e Bashës nga drejtimi i PD.

Kujtojmë se pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë, Lulzim Basha bëri të qartë se për sa kohë do të jetë ai në krye të PD nuk do ketë fraksione.

INTERVISTA E PLOTE
Si i shihni përcaktimet që janë bërë në media për atë se çfarë ndodhi në mbledhjen e fundit të Kryesisë së PD? A ka një të vërtetë në to? Si i shihni nga brenda grupit apo brenda Kryesisë?
Mua më vjen mirë që ka një vëmendje të përqendruar tek PD dhe opozita, sepse në një farë mënyrë tregon interes dhe shpresë. Në këtë grup ka edhe nga ata që përpiqen ta kthejnë luftën tek opozita, po jo nuk është pozitive jo vetëm për PD, po as për Shqipërinë dhe shqiptarët. Opozita duhet të kritikohet, por jo të jetë gjithmonë në sulm, me qëllim për t’i shërbyer qeverisë. Nëse opozita mbahet nën vëzhgim, kritikohet, dhe nëse kjo bëhet me qëllimin e mirë që të ketë një opozitë të fuqishme për t’u përballur me qeverinë, është plotësisht e mirëpritur, dhe unë për këtë kam komente pozitive. Por ky është një sulm i hapur, që thjesht i shërben Ramës dhe qeverisë. Vihet opozita nën një presion që bie në sy, është bërë si puna e asaj fabulës së ujit me gomarin, kur i japin ujë të ftohtë, na thonë se ftohet gomari, kur i japim të ngrohtë, thonë e dogjët gomarin.

Z.Paloka çfarë ndodh në këto mbledhjet e rëndësishme të PD, siç është Kryesia? Përtej asaj që ka dalë në media? A ka tensione nga deputetë të ndryshëm?
Shumë prej anëtarëve e kanë cilësuar këtë nga mbledhjet më të mira të Kryesisë, pavarësisht debateve dhe tensioneve që ishin të pranishme për një arsye apo një tjetër, pa dashur të përcaktoj nëse ishte faji i atij apo i asaj. Ato mbledhje për atë punë bëhen, që në momentin që ne futemi diskutojmë. Jo më kur bëhet fjalë për situatë të vështira, jo vetëm për opozitën, por edhe për gjithë vendin. Nëse ne do shkojmë në atë mbledhje thjesht për të dëgjuar kryetarin, apo kur një njeri thotë diçka dhe ne të ngremë duart, atëherë çfarë mbledhje është.

E kemi dëgjuar të deklaruar jo vetëm nga ju, por edhe deputetë të tjerë të PD-së, se ka qenë mbledhja më e shëndetshme në parti në kuadër të debateve, por edhe një mbledhje ku në fakt dolën haptazi fraksionet brenda PD-së, që ju në fakt i keni quajtur shkatërruese për PD. Pse janë të tilla mendimet ndryshe?
Janë dy gjëra të ndryshme. Në atë mbledhje nuk ka dalë ndonjë fraksion, por kanë diskutuar njerëz me mendime të ndryshme. Këtë çështjen e fraksionit, që të jem i sinqertë e kam dëgjuar në media se nuk e kam parë ta shprehë apo kërkojë dikush. Është krejt normale që të ketë qëndrime të ndryshme. Jemi 27 vite demokraci dhe pluralizëm, normale që do ketë ide të tilla. Kur këto qëndrime, ide, apo platforma, siç është përmendur, nëse vijnë në interes të qëllimit të përbashkët që kemi të gjithë demokratët, të ngritjes dhe fuqizimit të PD-së, janë të mirëpritura, dhe kjo është normale. Kështu funksionon në demokraci. Këto ide paraqiten, diskutohen, votohen, dhe kështu ndodh në demokraci, pra vendos shumica. Pasi votohen dhe merret vendim nga strukturat e PD atëherë të gjithë janë të detyruar ta zbatojnë.

Çfarë është ajo që ju quani shkatërruese?
Flitet për fraksione të cilat synojnë marrjen e partisë, jo dhënien e ideve. Ka rryma në çdo parti që funksionon në këtë mënyrë, ka fraksione apo rryma, se mund t’i quajmë si të duam, por ndahen në aspektin e tyre ideologjik. Ka edhe në parti në amerikane dhe ato europiane, ke njerëz me bindje më liberale apo konservatore. Dhe këto ndahen pastaj në çështje parimore. Janë të gjithash ide të pranueshme, pasi dikush mund të ketë ide për mënyrë sesi të vihet në pushtet, apo për qeverisje. Unë për shembull por nisem nga vetja ime, që kam ide psh si mund të vihet në pushtet me Edi Ramën. E kam thënë dhe e them se me Ramën nuk mund të përballesh në një formë normale, demokratike, sepse e kemi parë ç’po ndodh. Nëse ngrihen fraksione me qëllimin që të marrin partinë apo lëvizje kundër kryetarit të partisë …

Siç është lëvizja që pretendon Astrit Patozi?
Unë s’kam parë as lëvizje, asgjë për momentin, di që ka disa kundërshtarë të Bashës që kanë dalë hapur dhe publikisht. Kjo është e vërtetë dhe unë këtë e quaj të dëmshme. Në qoftë se ti nisesh thjesht me qëllimin që do krijoj tani një grupim brenda partisë vetëm për të luftuar Bashën, apo këdo tjetër qoftë me qëllimin e vetëm që të marr unë drejtimin e partisë, atëherë kjo është e dëmshme. Se çfarë do të ndodhte? Atëherë këta njerëz brenda PD do të përpiqeshin gjithë kohën të dëmtonin Bashën, apo kryetarin e radhës, me qëllimin që duke dëmtuar këtë, përfitonin këta dhe të merrnin këta kreun e partisë. Pa hyrë në emra, nëse kërkohet të bëhet kjo gjë, që të ngrenë një grup vetëm për t’i rënë kryetarit të partisë, me qëllim të dëmtojmë atë dhe të marrim ne kreun e partisë, atëherë kjo është e dëmshme. Kështu ka dalë në qëndrimet publike, në momentin që Basha në kryesi tha jam i hapur, ky u shtriu dorën të gjithëve, ata dolën dhe thanë ne nuk jemi dakord me këtë, do vazhdojmë luftën kundër Bashës. Po lufta kundër Bashës nuk është thjesht kundër një individi, Basha përfaqëson PD, për mirë apo për keq, duam apo s’duam, me kontestime apo jo. Është bërë një proces zgjedhor dhe ka marrë votat e shumicës së demokratëve, dhe të vazhdosh të thuash sot se unë do vazhdoj të bëj luftë kundër Bashës, kjo e dëmton PD.

Duke u ndalur tek dy emrat, Astrit Patozi, dhe Jozefina Topalli, do të përmendja se ka një deklaratë nga e kjo e fundit, e cila shprehet “Nëse do Berisha, e shkarkon për 24 orë Bashën”. Dua një koment tuajin në lidhje me këtë?
Nuk kam dëshirë të komentoj deklarata që nuk i njoh. Por nëse do të ishte kështu, është e gabuar, sepse askush nuk mund të shkarkojë kryetari e partisë, qoftë edhe Berisha, ndërkohë që ai ka marrë votat e anëtarësisë. Mendoj se edhe Patozi edhe Topalli kanë jo vetëm përvojën e gjatë në strukturat e PD, por kanë edhe pjekurinë e duhur për të kuptuar se nuk funksionon kështu partia. Nëse kërkojmë funksionimin e statutit, e dimë që nuk funksionon kështu. Për mua kjo nuk është një deklaratë me logjikë. Unë nuk po them që këto figura duan ta shkatërrojnë PD. Nuk kam dëgjuar të thotë t dikush që kanë krijuar fraksione. Kur të shtrihet dora të komunikosh me ide, apo të bindësh anëtarësinë që ke një platformë për të ardhur në pushtet, futesh në konkurrim dhe fiton nëse ke shumicën, por nëse përpiqesh vetëm të dëmtosh, nuk funksionon. Dhe ne rastet i kemi, gjatë fushatës së 2017, unë e kam thënë edhe në vend tjetër, për fat të keq, për pakënaqësi të momentit, patëm anëtarë kryesie që deklaruan dhe i kërkuan demokratëve të mos votojnë. Dolën në konferencë shtypi dhe i kërkuan demokratëve të mos votojnë. Pati nga ata që për karshillëk shkuan dhe bënin selfie nga Parisi, dhe i postonin në FB. Pati të tjerë që nuk shkuan të votojnë.

Ju shprehen i se nuk keni parë ende një lëvizje brenda PD. Sa të realizueshme e shihni këtë?
Këtë nuk e di, kjo është çështje e atyre që mendojnë të krijojnë lëvizje. Por mua më duket absurde të thuash do krijoj një lëvizje. Ata që janë kundër janë bërë publikë. Numri i atyre që kundërshtojnë, por edhe këta nuk janë të gjithë që janë të pakënaqur me Bashën, por ka edhe nga ata që janë në një rrymë psh. Unë kam pakënaqësi për mënyrën sesi shkuan gjërat, dhe kaluam në dëshpërim momentin që humbëm zgjedhjet. Dhe këta janë shumë në PD, janë anëtarë të PD-së, dhe funksionarë. Por kanë një synim, përmirësimin dhe ringritjen e PD. Ka të tjerë, që pastaj luftën kundër Bashës e kanë qëllim në vetvete, dhe kjo nuk është fare e shëndetshme dhe pozitive.

Flasim për 8 javorëshin ku ju keni cilësuar se realisht do të nisë analiza për zgjedhjet e qershorit dhe një reformim të strukturave keni paralajmëruar. Kur do të nisë, do të nisë me reformimin e Kryesisë. Në një deklaratë Dashamir Shehi tha se nuk mundën të ketë kryesi me 50 veta aty brenda. Si i shihni të gjitha këto?
Procesi që ne kemi nisur synon konsultimin e gjerë të anëtarësisë së PD dhe marrjen e disa informacioneve për të kuptuar atë që ndodhi dhe në varësi të saj për të gjetur zgjidhje për të ardhmen. Ky konsultim dhe marrja e informacioneve do na bëjë ne të qartë për të kuptuar se kush ishin ata që na votuan. Janë votues që i tunduan presionit dhe parave. Dhe më pas do dhe ata që nuk na kanë votuar. Pra pse nuk na kanë votuar? Janë një pjesë e këtyre që janë larguar nga Shqipëria bashkë me fëmijët. Janë mbi 200 mijë njerëz. Janë pjesë e njerëzve që për mirë apo për keq u detyruan të dorëzojnë kartat e identitetit. Janë nga ata që nuk votuan, pasi nuk iu pëlqeu Lulzim Basha apo marrëveshja dhe zërat se PD dhe PS do qeverisin bashkë.  Ka shumë arsye që ne duhet t’i kërkojmë dhe ta dimë. Këto 8 javë ne na shërbejnë edhe për strukturimin. Edhe unë mendoj se një kryesi me aq shumë anëtarë mund të mos jetë aq funksionale.

Sa kohë mund të kërkojë e gjitha kjo, qoftë analiza për zgjedhjet apo reformimi i strukturave?
Mendoj se ndërkohë që bëhet analiza vijne idetë, pasi mund të vijë një ide brilante nga një anëtar dhe këto ide do mblidhen dhe do ngrihet një grup punë për projektet dhe idetë. Të gjitha do kalojnë në instancat përkatëse për t’u miratuar.

Flasim pak për rezistencën opozitare në parlament. Si do vijojë ajo? Kam parasysh amendamentet e rrëzuara nga opozita, por jo të miratuara nga mazhoranca?
Te jem i sinqertë, nga Rama nuk mund të presësh mirëkuptim. Ai nuk jep asgjë nëse nuk ka gjetur më parë hilen për të.

Çfarë bën opozita në këto kushte?
Në këto kushte ne do mbajmë qëndrim tonë…

Përmes presionit, siç u shpreh zoti Spaho?
Po edhe përmes presionit. Edhe brenda nesh ka njerëz që mendojnë në forma të ndryshme. Unë po ju them se me gjithë presionin ku ne u vumë në 2017, madje kërcënimin për  të hyrë në zgjedhje me ato kushte, unë kam thënë se prapë ne nuk kemi pse hyjmë në këto zgjedhje dhe duhet të përballemi me Ramën, ashtu siç bëmë në Kavajë. Të gjitha këto duhet të preken dhe ne do dalim me një përfundim. Pse propozuam amendamentet për vettingun?  Nuk ishin amendamentet tona, por ishin kërkesat e komisionerëve. I paraqitën ata për të cilët Rama thoshte se janë të rëndësishëm për vettingun dhe ju pret fondet.

Qëndrimi i opozitës sa i takon reformës zgjedhore?
Janë disa kërkesa që ne i kemi bërë që në vitin 2016, por na thanë se nuk kanë kohë. Unë jam i bindur se Rama nuk do pranojë votimin elektronik, por ne do përdorim presionin duke pasur edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve, pasi na kanë premtuar.

PD do pranojë ftesën e mazhorancës për tu ulur në një tryeze të përbashkët  për reformën zgjedhore?
Ne kemi kërkuar ngritjen e një komisioni ‘ad hoc’. Ky komision këtë punë do bëjë, pra do diskutohet. Për mua kjo është një hile e Ramës për të krijuar tryezë sepse ne atë punë do bëjmë në komisionin ‘Ad Hoc’.

Shumë prej figurave të PD i quajnë pa lidhje disa deputetë  brenda grupit të PD. Ju vetë në listën e PD, shihni figura që mund të ishin më tepër se aq apo keni shpresë se duke kaluar koha do bëhen më të vlefshëm për PD?
Unë e kam thënë se nëse listën do ta bëja unë do vija njerëz të tjerë dhe do vija njerëz që kisha besim…

Ju po thoni që ishte një listë e pakonsultuar nga Lulzim Basha?
Po kjo është e vërtetë, pasi këta e ka pranuar edhe vetë Basha që ka bërë gabim që nuk është konsultuar për listën e kandidatëve.

Është një pranim faji nga ana e Bashës?
Basha ka pranuar se nuk ka bërë mirë që nuk është konsultuar për listën, por është i bindur që ka bërë listën më të mirë.

Shihni figura që nuk kanë lidhje me PD?
Ata janë të gjithë aty sepse përfaqësojnë të gjithë PD dhe janë deputetë.

Të vlefshëm…?
Është herët për të folur për individë të veçantë. Do thoja se edhe tani jam i kënaqur me performancën e shumicës së deputeteve. Duke qenë se janë të rinj performanca e tyre mund të kishte dhe defekte, por unë personalisht jam i kënaqur dhe me kalimin e kohës jam i bindur se do vijë edhe përvoja. Të gjithë ata që ti përmende kanë qenë në listë dhe ne humbëm në vitin 2013. Pra të thuash se ne humbëm se nuk ishin këta në listë, po në vitin 2013 pse humbëm kur ishin këta në listë?

Rama ju quan opozita e madhe. Si e shihni LSI në të bërit opozitë dhe sa bashkë do e bëni opozitën?
Unë mendoj se qëllimi për të qenë opozitar të bashkon vetvetiu dhe kjo varet nga qëllimi i gjithsecilit. Nuk jam me atë që thonë të bërit koalicion, pasi koalicion në opozitë nuk ka. Por do ketë një bashkërendim për qëndrimet tona dhe për mënyrën e votimit. Nëse ecim me këtë rrugë do kemi një rrugë të përbashkët. Ajo pjesa që thatë ju për Ramën është diversion banal i tij.

(el.sp/d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb